Përjashtimi i studentëve që kanë bursë nga një institucion shtetëror, nga konkursi për ndarjen e bursave të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” për vitin akademik 2015/16 po shihet absurd dhe ndëshkim për studentët më të mirë të këtij universiteti.
Njohës të çështjeve të arsimit dhe studentë e quajnë absurd këtë kusht.
Njohësi i çështjeve të arsimit, Jusuf Thaçi, përmes një reagimi në profilin e tij social ne “Facebook” ka kërkuar nga Këshilli Drejtues i UP-së edhe nga Ministria e Arsimit, që të ndërmarrin veprimet e nevojshme për të korrigjuar këtë anomali të konkursit të UP-së, transmeton “Epoka e re”.
Thaçi ka thënë se UP-ja ndan bursa për studentët e vet më të mirë dhe më të suksesshëm gjatë studimeve, pra bursa meritore, prandaj nuk ka rëndësi statusi socio-ekonomik i këtyre studentëve e normalisht nuk ka lidhje pse këta studentë mund të kenë marrë edhe bursa të tjera, qoftë nga institucionet publike apo burime të tjera jopublike.
Thaçi ka thënë se bursat e UP-së janë dhe duhet të jenë për të gjithë ata studentë të UP-së që i plotësojnë kushtet e suksesit gjatë studimeve. “Në nivel parimor, UP-ja duhet të ndihet krenar që studentët e vet të suksesshëm arrijnë të marrin edhe bursa të tjera jashtë universitetit, prandaj duhet t’i stimulojë ata që të marrin bursa meritore ngado që munden (qoftë nga institucionet publike a burime të tjera jopublike) e assesi nuk guxon t’i ndalojë ata që të marrin bursa të tjera. Ky do të ishte një de-stimulim dhe një ndëshkim për studentët e mirë e të suksesshëm të UP-së”, ka thënë ai.
Thaçi ka shtuar se absurdi rritet kur kemi parasysh faktin që bursa e MASHT-it ka qenë rreth 400 euro, ndërsa bursa e UP-së mund të jetë rreth 800 euro. “Kjo, fjalëpërfjalshëm, i bie që UP-ja do të ndëshkojë studentët e vet më të mirë dhe më të suksesshëm”, është shprehur Thaçi.
Po ashtu, nga konkursi përjashtohen edhe ata studentë që marrin bursa komunale.
Ky kusht shihet i pakuptimtë edhe nga studentët. Jon Manuxhi, student i Fakultetit të Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike (FIEK), ka thënë se ky kusht është i pakuptimtë. “Neve nuk na është ofruar mundësi zgjedhjeje mes bursës së MAShT-it dhe të UP-së, sepse zgjedhja jonë do të ishte e nënkuptuar. Universiteti i Prishtinës nuk shpërndan ndihma sociale për studentët, por shpërndan bursa. Si rrjedhojë e kësaj, studenti duhet dhe meriton të shpërblehet në bazë të suksesit të tij përgjatë studimeve, e jo mbi kritere ‘non-sens’ ”, ka thënë ai.
Maxhuni ka thënë se në kushtin e gjashtë ku thuhet se: kandidati duhet “të mos ketë përfituar bursë nga ndonjë institucion tjetër publik në Republikën e Kosovës për vitin akademik 2015/2016”. Këtu sipas tij, vërehet qartë se prioritet nuk është suksesi i studentit, por kursimi i buxhetit. “Të gjithë jemi të vetëdijshëm se, UP-ja ka shpërndarë bursa kaherë, mirëpo mjafton që t’i kujtojmë dy apo tri vitet e fundit për të nxjerrë përfundimin se asnjëherë përgjatë këtyre viteve, konkursi nuk është publikuar më vonë! Edhe pse nuk kemi fakte, jemi të bindur se kjo është e qëllimshme”, ka shtuar ai.
Maxhuni ka treguar se në kohën kur është shpallur konkursi për bursa në MAShT, i ka dërguar e-mail ministrit të Arsimit, Arsim Bajrami dhe e ka pyetur nëse përfitimi i bursës shtetërore e përjashton mundësinë e përfitimit të bursës universitare dhe ka marrë përgjigjen se MASHT-i nuk merret me kufizimet që mund t’i bëjë universiteti dhe se për bursën e MASHT-it nuk ka kufizime. “Menjëherë pas kësaj i kam shkruar e-mail prorektores për çështje mësimore, Eda Vula, të cilën mund t’ua vërtetoj! Kjo e fundit nuk më ka kthyer përgjigje. Më vjen shumë keq, por as unë, e asnjë student tjetër nuk kemi mundur të mos aplikojmë për bursë të MAShT-it, vetëm se prorektorja tregohet e papërgjegjshme, pasi që e ka për detyre që t’i kthejë e-mail-at, përderisa ai e-mail është zyrtar (uni-pr.edu). Andaj, ne nuk do të rrimë duarkryq!”, ka thënë studenti Jon Maxhuni.