Lajmet e fundit

Svarqa: PDK-LDK s’ishte koalicion i dashurisë, por e shpëtoi shtetin

Koalicioni PDK-LDK nuk ishte arritur si rezultat i “dashurisë politike” mes këtyre dy partive politike, por ishte bërë për ta shpëtuar shtetin nga bankrotimi, pas dështimit për të funksionalizuar marrëveshjen e VLAN-it.

Kështu thotë kryetari i Ferizajt, Muharrem Svarqa, i cili është dhe anëtar i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), në një intervistë për Ekonomia Online.

Ai ka komentuar dhe protestat e zgjatura të opozitës, duke theksuar se në çdo shoqëri mund të gjenden njerëz të pakënaqur dhe energjia e tyre mund të mobilizohet, siç po ndodh në rastin e Kosovës, nga liderët e tri partive opozitare.

“Koalicioni me PDK-në, ka qenë një koalicion për shpëtimin e shtetit dhe në momente të caktuara secili njeri, më së shumti politikanët që kanë marrë përgjegjësi për ta udhëhequr popullin, duhet të reflektojnë në këto rrethana, sepse ishte një kohë e gjatë që nuk u arrit të funksionalizohej VLAN-i (Vetëvendosje-LDK-AAK-Nisma) dhe ishte në rrezik bankrotimi i shtetit”, shprehet Svarqa.

“Koalicioni nuk ka pasur zgjidhje tjetër, e vetmja zgjidhje ka qenë koalicioni PDK-LDK. Ky koalicion nuk është realizuar për dashuri politike, ka qenë akt shtetëror”, thekson ky zyrtar i lartë i LDK-së, tashmë kur kanë kaluar më shumë se një vit nga marrëveshja me Partinë Demokratike të Kosovës.

Për këto arsye, Sfarqa nuk pret që LDK-ja të dëmtohet në “staza afatgjata”, duke humbur anëtarësi. “LDK-ja e ka një strukturë të organizuar politike e cila kohëve të fundit po tregon një disiplinë më të madhe dhe e ka një aftësi të shpjegimit para qytetarëve, simpatizantëve dhe para udhëheqësve të strukturave të LDK-së”.

Sipas tij, kur në pyetje është funksionimi i shtetit të gjithë duhet të lënë anash pakënaqësitë politike dhe të arrihet një koncensus.

Ai ka komentuar dhe protestat mjaft masive që po organizohen muajt e fundit nga opozita dhe si e sheh rrugëzgjidhjen nga kjo situatë. Kreu i Ferizajt thekson se në çdo shoqëri mund të gjenden njerëz të pakënaqur dhe energjia e tyre mund të mobilizohet, siç po ndodh në rastin e Kosovës, nga liderët e tri partive opozitare.

“Por, pakënaqësia e tyre më shumë është rezultat i qëndrimit në opozitë, sesa që ka të bëjë me ndonjë kauzë. Kauza e opozitës nuk është e ndërlidhur as me pavarësinë, e as me zgjidhjen e çështjes së Kosovës… Kauza është e lidhur me marrjen e pushtetit me dhunë”, deklaron Svarqa, në këtë intervistë para kamerës së Ekonomia Online.

Ngjashëm si shefi i tij, Isa Mustafa, dhe lideri i partnerit tjetër qeveritar, Thaçi, ai porosit opozitën se duhet të presin zgjedhjet e vitit 2018, nëse duan të marrin pushtetin.

“Pushteti fitohet vetëm me votë dhe ne duhet të mësohemi që brenda këtyre konturave ta zhvillojmë jetën. Më vjen keq që shpeshherë ato energji të akumuluara shfrytëzohen për të përfituar një numër i caktuar, një numër i vogël i njerëzve, në këtë rast liderët e opozitës. Sepse, unë mendoj që gjithmonë, në çdo shoqëri, mund të gjenden njerëz të pakënaqur dhe energjia e tyre mund të mobilizohet, për përfitime të personave që krejt janë në periferi”.

Leave a Reply

Your email address will not be published.