Lajmet e fundit

Themelohet Njësiti për luftimin e korrupsionit dhe krimeve ekonomike

Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, zhvilloi një takim pune me prokurorët e Departamentit për Krime të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, si dhe me anëtarët e Komisionit Mbikëqyrës të njësitit për luftimin e korrupsionit dhe krimeve ekonomike, përfshirë sekuestrimin dhe konfiskimin e pasurisë së paligjshme.

Bazuar në vendimin e Këshillit Prokurorial të Kosovës, të datës 29 dhjetor 2015, gjatë këtij takimi u themelua Njësiti për luftimin e korrupsionit dhe krimeve ekonomike, përfshirë sekuestrimin dhe konfiskimin e pasurisë së paligjshme, në kuadër të Departamentit për Krime të Rënda në Prokurorinë Themelore të Prishtinës, i cili pritet të fillojë së funksionuari më 1 shkurt 2016, transmeton Koha.net.

Gjithashtu, gjatë këtij takimi u caktuan edhe pesë prokurorët nga Departamenti për Krime të Rënda, të cilët do të punojnë në këtë njësit.

Kryeprokurori Lumezi njoftoi prokurorët se Komisioni Mbikëqyrës i themeluar nga Këshilli Prokurorial i Kosovës, do të bëjë vlerësimin e punës së prokurorëve të angazhuar në këtë njësit, si dhe do t’i raportojë Këshillit Prokurorial çdo tre muaj, duke kërkuar nga të gjithë prokurorët të tregojnë sukses në luftimin e korrupsionit dhe krimeve ekonomike, në të kundërtën do të ndëshkohen për moskryerjen me sukses të punëve.

Gjithashtu, kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, njoftoi se qëllimi i themelimit të këtij njësiti është zvogëlimi i numrit të pazgjidhur të lëndëve të korrupsionit dhe krimeve ekonomike, rritja e efikasitetit të punës, ngritja e nivelit të bashkëpunimit, ngritja e kapaciteteve, duke përfshirë specializimin e prokurorëve dhe rregullimi i llogaridhënies.

Leave a Reply

Your email address will not be published.