Partia Demokratike e Kosovës do ta vazhdojë edhe gjatë ditës së sotme mbledhjen, pas asaj të djeshmes, raporton Gazeta Blic.
Këtë për Gazetën Blic e ka konfirmuar nënkryetari i Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, Xhavit Haliti.
“Sot më duket do ta vazhdojnë. Po besoj që po”, ka thënë Haliti për Gazetën Blic.
Ai ka theksuar, se mbajtja e mbledhjes dy ditë radhazi, është një gjë “normale”, duke shtuar se këto janë “punë partish”. Mirëpo, ai nuk ka dhënë detaje rreth asaj, se çka është diskutuar dje dhe çka pritet të diskutohet sot në këtë mbledhje.
“S’e di për çka do të bisedohet konkretisht, “s’kam as rend dite sot”, ka thënë shkurt Haliti.
Krahas kësaj, Gazeta Blic ka tentuar të marrë edhe një përgjigje rreth këtyre diskutimeve nga deputeti i po kësaj partie, Nait Hasani, mirëpo ky i fundit ka thënë se nuk do të japë asnjë prononcim deri më datën 20.
Ndryshe, dje u raportua se PDK-ja ndër të tjera, në mbledhjen e së martes, diskutoi për garancinë e votave që Isa Mustafa ia ka siguruar Hashim Thaçit për President, se nuk do të ketë ‘rotacion’ në qevrisje dhe se vendin e ministrit të jashtëm, pas zgjedhjes së Thaçit për president, pritet ta marrë Enver Hoxhaj.
Sipas të njëjtave burimeve, Lista Serbe po e kushtëzon votimin e Hashim Thaçit me marrëveshjen për Asociacionin e Komunave Serbe dhe me zbatimin e plotë të marrëveshjeve.
Sipas të njëjtit, edhe nëse Hashim Thaçi do t’i kishte të sigurta votat e LDK-së, Lista Serbe mund të mos marrë fare pjesë në seancën e zgjedhjes së presidentit, çka do ta bënte të pamundur kuorumin prej 2/3 prezent në sallë.
Përpos këtyre, ndonëse LDK është në koalicion me PDK-në, disa deputetë të saj, tanimë janë deklaruar publikisht se nuk do t’ia japin votën Thaçit.