Princ Leka II, që prej disa vitesh jeton në Shqipëri, thotë se ai synon që të kthejë Monarkinë në Shqipëri.Ai flet edhe për jetën e tij personale, të atin, por dhe politikën shqiptare.
Nga Eva Gjura
Përshëndetje Princ Leka II! Faleminderit që pranuat ftesën tonë. Po e fillojmë këtë bashkëbisedim duke u njohur me juve dhe përditshmërinë tuaj. Cili është 24-orëshi juaj në terma të përgjithshëm, përfshirë dhe marrëdhëniet e punës ?
E përditshmja ime nuk ka ndonjë ndryshim të dukshëm me atë të qytetarit të thjeshtë; është mëse normale siç edhe ka qenë deri në këtë periudhë kur kryeja funksione të ndryshme shtetërore, pavarësisht se ndryshon objekti i veprimtarisë. Steriotipi i zakonshëm fillon qysh me shfletimin e shtypit të përditshëm, nëpërmjet të cilit ndjek jetën dhe zhvillimet politike të vendit, njohjen me problemet dhe shqetësimet e njerëzve etj. Padyshim që ndjek korrespondencën me shtetas të ndryshëm, të cilët më drejtohen për probleme e shqetësime, si dhe me takime sipas një axhende me njerëz të thjeshtë që dëshirojnë të më takojnë, apo personalitete të trupit diplomatik me të cilët shkëmbejmë vizita reciproke. Jo rrallë pres vizita të organizuara nga grupe të rinjsh, nxënës apo studentë, që duan të njohin diçka më shumë për Familjen Mbretërore, veprimtarinë dhe jetën e Mbretit Zog dhe Mbretit Leka si dhe në përgjithësi për funksionimin e sistemeve monarkike në një pjese jo të vogël të vendeve më të zhvilluara të Europës.
Brenda pak vitesh ju humbët të dy prindërit, por duket se raporti që ju keni krijuar ka qenë aq i goditur sa për t’jua lehtësuar pak dhimbjen e të mbeturit vetëm. Është kështu?
Sigurisht që po, nuk është e lehtë që brenda një periudhe relativisht të shkurtër të humbësh gjyshen, nënën dhe babain dhe për më tepër në rastin tim kur fëmijërinë e kam kaluar jashtë Shqipërisë. Dhimbja ka qenë dhe është shumë e madhe, por gjithsesi, edhe pse e pazëvendësueshme kam gjetur ngrohtësinë e njerëzve që me rrethojnë, veçanërisht të atyre që e konsiderojnë Familjen Mbretërore si pjesë të pandarë të historisë së familjeve të tyre. Mbi të gjitha ndjej ngrohtësinë e njeriut tim të jetës, Elias, me të cilën ndaj të gjithë gëzimet dhe shqetësimet; fati e deshi të gjej njeriun e duhur në kohën e duhur me të cilën ndjehem i lumtur.
Me cilin prej prindërve keni patur raporte më të afërta?
Nuk mund të rankohen anëtarët e familjes, pasi dashuria është unike, pavarësisht se shprehet në forma të ndryshme. Kështu ndryshe e shpreh dashurinë gjyshja për nipin, nëna dhe babai për djalin dhe anasjelltas. Me babain kisha raporte më të “institucionalizuara”, me trajtonte që në fëmijëri si “më të madh”, duke më krijuar mundësinë në jo pak raste të dëgjoja edhe bisedat midis të rriturve, veçanërisht kur bëhej fjalë për historinë e popullit tim, për historinë e paraardhësve të familjes sime, qysh nga stërgjyshërit dhe kryesisht të Mbretit Zog. Ndërsa gjyshja dhe nëna më kanë kultivuar ndjenjën e dashurisë njerëzore, sjelljen dhe edukatën aq të domosdoshme kur përthithet me aq dashuri qysh në fëmijëri dhe bëhet pjesë e pandarë e trashëgimisë familjare.
Kishit një baba aktiv sa kishte fuqi. Dhe deri diku person politik. Me ç’brengë iku nga kjo botë?
Babai im, Mbreti Leka, nuk ishte “deri diku” politik, por totalisht politik, pasi gjithë jetën e tij ia përkushtoi Atdheut, por veprimtaria e tij politike pak ose aspak njihet nga shqiptarët që kanë jetuar brenda mureve të hekurta të regjimit komunist dhe kjo besoj se ishte e natyrshme. Madje në atë periudhe jo të shkurtër, regjimi totalitar diktatorial e etiketonte si “armikun më të madh të sistemit socialit”, duke e renditur të parin në listën e të dënuarve me vdekje në mungesë.
Ndoshta, nëse ai regjim do të vazhdonte, vendin e tij në këtë listë të zezë do ta kisha unë.
Veprimtaria politike e babait tim kundër sistemit diktatorial u zhvillua jashtë kufijve, madje dhe në mënyrë institucionale. Mjafton të them se ai lëvizte në Europë, SHBA, Afrikë etj. Me të vetmen pasaportë që e mbajti gjithë jetën dhe që quhej “Pasaporta e Mbretërisë Shqiptare”, pa u penguar nga asnjë shtet, përveç Shqipërisë në vitet e para të demokracisë kur shkeli për të parën herë tokën shqiptare…
Babai kishte marrëdhënie institucionale dhe shoqërore me një nga presidentët më aktive të SHBA lidhur me luftën kundër sistemit komunist, Reganin, si dhe me shumë personalitete politike të kohës. Deviza e tij si dhe e Familjes Mbretërore ishte: “Atdheu mbi të gjitha”; pra gjithë jeta e tij përmblidhet mbi këtë aspiratë. Sigurisht, brenga e tij në ikejn nga kjo botë ishte se nuk mundi ta shohë një Shqipëri siç edhe e ëndërronte, pasi vitet e fundit të jetës së tij, siç edhe tani, Shqipëria vazhdon të jetë në një periudhe tranzicioni të tejzgjatur, ende demokracia është e brishtë, e pakonsoliduar, niveli i mirëqënies së popullit është shumë larg vendeve të Europës, por gjithnjë, deri në fund të jetës ai shpresonte, dhe shpresa nuk iu shua kurrë, megjithë andrallat që e shoqëruan gjithë jetën.
Cilat ishin bisedat tuaja të fundit, për çfarë flisnit, çfarë e shqetësonte atë më shumë?
Bisedat tona, ato të karakterit politik, sigurisht ishin për Shqipërinë, për konsolidimin e shtetit demokratik. Sistemi monarkik, kërkon sot një shkallë të lartë të zhvillimit të demokracisë, siç vazhdon në vendet më të zhvilluara të Europës, Britani, Suedi, Norvegji, Holande, etj. Në Shqipëri sistemi komunist e përbalti Mbretërinë aq, saqë edhe sot ende kanë mbetur rudimentet e tij që i tremb termi “Monarki” dhe vjellin vrer kundër Mbretit Zog. Kjo është mëse e kuptueshme për njerëzit që u indoktrinuan deri në palcë nga sistemi komunist dhe që këtë frymë ia përcjellin fëmijëve dhe nipërve të tyre, por sidoqoftë përsëri mbetet shpresa se Shqipëria do të zhvillohet në tërësi dhe bashkë me të edhe mentaliteti.
Të ka lënë ndonjë amanet?
Amaneti është mëse i kuptueshëm: të vazhdoj deri në fund të jetës, brez pas brezi trashëgimin e Familjes Mbretërore dhe devizën e saj “Atdheu mbi të gjitha”.
Ngjan sikur kohët e fundit para së të ndërronte jetë, sikur u mbyll në vetvete, nuk preferonte më të bënte deklarime publike. Ngjan sikur e kapi një zhgënjim i madh për çfarë gjeti në Shqipëri. Është kështu?
Gjendja shëndetësore sigurisht ndikoi në daljet publike, por kurrsesi nuk e humbi shpresën; edhe pse në momente të caktuara njeriu zhgënjehet, por ai ishte i vetëdijshëm se këto lidheshin me shkallën e zhvillimit të demokracisë në vend, në fund të fundit politikanët janë produkt i kësaj shkalle zhvillimi të demokracisë. Monarkinë kushtetuese ai nuk e shihte si qëllim në vetvete, por si një aspiratë që do të ndikonte dhe përshpejtonte zhvillimet demokratike në vend.
Pati një kohë kur ju, edhe pse ju mungon statura e protagonizmit publik, u përfolët jo pak në media, sidomos për faktin se ndërsa aspironit për Monarki, punonit për Republikën, pra në Ministrinë e Jashtme, më pas në institucione të tjera. Si i përjetonit dhe realisht a ishit vërtet në një kundërthënie?
Së pari, të punosh për Republikën e vendit tënd nuk do të thotë “të tradhtosh” Mbretërinë, për më tepër në një sistem demokratik. Të dyja këto janë forma sistemesh dhe është populli ai që i parapëlqen dhe vendos për njërën apo tjetrën. Së dyti, edhe me miratimin e babait tim, unë si i ri që isha dhe jam duhet të grumbulloja një përvojë pune institucionale aq të domosdoshme për funksionimin e shtetit, cilado qoftë forma e tij dhe mendoj se nuk kam bërë gabim, duke u njohur me problemet qysh nga Ministria e Jashtme, Ministria e Brendshme, e deri tek Presidenca.
Ju vetë si pinjoll i Monarkisë, vazhdoni ta keni kauzë kthimin pra të Shqipërisë në një qeverisje monarkike, qoftë dhe thjesht ideale?
Sigurisht, kjo është kauza e Familjes Mbretërore brez pas brezi, por jo vetëm. Kjo kauzë është jo thjesht brenda Familjes, por në një pjesë të konsiderueshme të popullit shqiptar, siç edhe u shpreh në Referendumin popullor, megjithë manipulimet e bëra nga politika e atyre viteve. Nëse sot populli është i kënaqur nga politika e këtyre viteve është e drejta e tij të shijojë frytet e kësaj kënaqësie, në të kundërt është atribut i tij të kërkojë në kohën e duhur ndryshimin e formës së sistemit.
Jetoni në një vend ku gjyshi juaj nga një pjesë nderohet e nga një pjesë urrehet, ndërsa gjyshja vetëm nderohet. U dhemb kjo gjë dhe pse?
Historikisht nuk besoj të ketë ekzistuar ndonjë mbret që të mos “shahet”, veçanërisht në një shtet me një të kaluar gjysmëshekullore në regjimin totalitar komunist, pra është mëse e natyrshme që protagonistët dhe pasuesit e atij sistemi ta shajnë dhe do të vazhdojnë ta shajnë Mbretin Zog. Megjithatë, më trishtojnë jo sharjet, se sa shtrembërimi i fakteve për periudhën e Mbretërisë dhe Mbretit Zog, ku edhe sot historianë të tejpolitizuar vazhdojnë t’i shtrembërojnë apo anashkalojnë këto fakte, duke mos i shërbyer historisë por ngjyrimeve politike ku bëjnë pjesë. Një pjesë të tyre edhe i justifikoj, sepse janë po ata që i shërbyen me zell historiografisë komuniste, megjithatë gjithnjë shpresoj se koha do të bëjë të vetën dhe brezat që do vijnë do të jenë më të paindoktrinuar nga ideologjia.
Ç’ju tërheq më shumë tek figura e gjyshit, Mbretit Zog ?
Figura e Mbretit Zog është komplekse dhe virtytet e tij nuk ishin të njëanshme. Mjafton të kujtojmë se në moshën 17-vjeçare ai komandonte me qindra shqiptarë në betejat kundër serbëve. Po në këtë moshë ai me ushtrinë e tij vajti në Vlorë për të firmosur aktin e Pavarësisë dhe iu bashkua Ismail Qemalit. Po në moshë fare të re ai u bë Ministër i Brendshëm dhe shumë i suksesshëm në atë periudhe kaotike të vendit tonë. Më pas ai u bë Kryeministër, nga më të rinjtë që njeh historia e Shqipërisë, President dhe Mbret. Besoj se të gjitha këto nuk ia dhuruan, por i fitoi me zotësi dhe mençuri. Është një nga njerëzit që i janë bërë më shumë atentate dhe tentativa për vrasje se çdo lideri në Europë e më gjerë, dhe përsëri nuk u mposht. Pra, trimëria, guximi, zgjuarsia, diplomacia dhe mbi të gjitha përkushtimi për të bërë shtetin shqiptar, për mua janë tiparet dalluese të tij, të cilat kam nderin t’i adhuroj si shqiptar dhe si nip i tij. Se fundi, dhe kjo besoj se me lejohet si nip i Mbretit, adhuroj tek gjyshi edhe pamjen e tij të jashtme, burrërore dhe fisnike.
I ndjek me vëmendje zhvillimet politike dhe çfarë të bën më shumë përshtypje nga ajo që dëgjon dhe sheh?
I dëgjoj dhe shpesh mërzitem, veçanërisht nga gjuha që përdoret në Parlament, është një gjuhë vulgare që të trishton, përshtypje më të madhe më bën se pozita dhe opozita shihen jo si alternativa bashkëpunuese, por si armiq. Nuk besoj se në kohën e gjyshit tim në Parlament të flitej me një gjuhë të tillë. E njëjta situate është edhe në trevat e tjera shqiptare, ku mbizotëron përçarja dhe konfliktet, lufta për pushtet dhe jo përgjegjshmëria e duhur për çështjen kombëtare.
Nga trashëgimia ju takon të jeni me partinë e Legalitetit apo jo? Por a jeni integruar tek ajo apo tek ndonjë tjetër e djathtë, si tek PD-ja, meqë keni qenë dhe në stafin e Bashës ?
Familja Mbretërore nuk mund të jetë pjesë aktive e asnjë partie, aq më tepër pjesëtarët e saj. Ajo qëndron mbi partitë, pasi ndryshe nuk mund të përfaqësonte dhe të ishte simbol i unitetit kombëtar dhe mbarëkombëtar. Është specifike marrëdhënia me Partinë e Legalitetit, e cila ka në platformën e saj vendosjen e Monarkisë. Sigurisht kjo lidhet me marrëdhënien që kemi ne si Familje Mbretërore, por jo më të qenët dhe pjesëmarrjen aktive në veprimtarinë e kësaj Partie.
Meqë jemi tek Basha, ç’konsideratë keni për të, diçka përshembull që shqiptarët nuk po e kapin dot si aftësi, virtyt, vizion ndoshta?
Për Bashën mund të flas jo si kryetar i Partisë Demokratike, sesa si një ish-Ministër i Punëve të Jashtme apo Ministër i Punëve të Brendshme me të cilin kam patur fatin të punoj dhe ta njoh nga afër. Natyrisht që ai përfaqëson një brez të ri me frymë perëndimore, me shumë kulturë dhe ambicie dhe mjaft i respektuar nga faktori ndërkombëtar.
Duke mbetur tek politika aktive, cili është vlerësimi juaj për qeverinë e drejtuar nga Rama, për Rilindjen pra?
Të jem i sinqertë nuk më pëlqen termi “Rilindje” pas rreth çerek shekulli në rrugën e demokracisë. Megjithatë është zgjedhja e çdo partie politike të përcaktojë terminologjinë dhe propagadistikën e politikës së saj. Edhe tek Rama shoh një lider pasionant, që përpiqet të bëjë reforma, që në shumë drejtime janë të domosdoshme aq sa dhe të dhimbshme, por edhe ai është pjesë e vorbullës së sharjeve dhe në jo pak raste e brutalitetit në marrëdhënie me opozitën. Ai synon të bëhet reformator, por reformator pa një mbështetje mbarëpopullore dhe bashkëpunim të frytshëm me të gjithë faktorët në një sistem demokratik është e vështirë apo e pamundur të bëhesh.
Edhe pse jeni tip shoqëror, bëni një jetë paksa të tërhequr nga protagonizmi publik. E keni në tip, në karakter, apo është një zgjedhje me sforco e juaja për të mos u bërë pis në ambientin shqiptar?
Mendoj se unë po ruaj pozicionin e Familjes Mbretërore, pa u përzier në politikën e ditës. Në realitetin shqiptar unë nuk mund të “rivalizoj” Presidentin e Republikës, apo Kryeministrin. Familja Mbretërore gëzon një status të veçantë dhe përfaqëson unitetin mbarëkombëtar, kështu që edhe mesazhet që jep ajo i shërbejnë këtij qëllimi dhe kjo nuk kërkon të bëhet as me zhurmë e as me bujë. Mendoj se edhe shqiptarët, kudo që ndodhen i mirëkuptojnë këto mesazhe si dhe pozicionin aktual të Familjes Mbretërore.
Kemi një thënie fatale ne: “Nuk bëhet Shqipëria”…I shtojmë më pas dhe një: “me shqiptarë!” ju si thoni: bëhet apo nuk bëhet? Dhe nëse po, nga duhet nisur?
Nuk jam dakord që Shqipëria nuk bëhet me shqiptarë, aq sa dhe vlerësoj kontributin që jep faktori ndërkombëtar në zhvillimin e demokracisë dhe shtetit shqiptar. Siç e përmenda disa herë në këtë intervistë, Familja Mbretërore gjithnjë ka shpresuar dhe kurrë nuk e humb shpresën për një Shqipëri më të mirë, madje shpresa shkon edhe më lart që në një të ardhme jo të largët të kemi një bashkim të kombit shqiptar, që është dhe aspirata e Familjes Mbretërore. Së pari mendoj duhet konsoliduar shteti ligjor, shpresoj që reforma e nisur në drejtësi të realizohet me sukses, gjë që do të rriste dinjitetin dhe besimin e shqiptarëve se Shqipëria do të bëhet nga vetë shqiptarët; padyshim kjo do të rriste edhe kredibilitetin e vendit tone në arenën ndërkombëtare dhe do të përshpejtonte hapat drejt familjes evropiane.
Duke u rikthyer pak tek jeta juaj private, ju tashmë jeni në një lidhje të konsoliduar, kur do të kemi një dasëm mbretërore?
Shpresojmë se së afërmi do të bëhet dasma, por jo me aq pompozitet sa ju e imagjinoni. Ne jemi pjesë e problemeve të mbarë popullit tonë dhe nuk ka arsye të manifestojmë një dasëm “madhështore” në kontekstin në të cilën jetojmë.
Duke përfunduar, keni ndonjë mesazh që doni t’jua përcillni shqiptarëve?
Meqë jemi në ditët e para të këtij viti do t’i uroja mbarë popullit një vit më të mbarë, shëndet dhe begati në familje, politikës do t’i uroja më pak zënie, me pak zhurmë dhe më shumë punë.
Tesheshi.com