Janë bërë gati dy muaj që kur peticioni i organizuar nga partitë opozitare me mbi 200 mijë nënshkrime është dërguar tek Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga.
Por pavarësisht kësaj, blloku opozitar ende nuk ka marrë ndonjë përgjigje nga presidentja, për çështjen në fjalë.
Dorëzimi i nënshkrimeve të qytetarëve u bë me 23 nëntor të 2015-ës, peticionin ky që kundërshtonte krijimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe dhe Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi.
Për këtë, zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Frashër Krasniqi, tha për lajmi.net se presidentja Jahjaga edhe njëherë ka dëshmuar që ajo, siç tha ai, është bërë pjesë e krahut të pushtetit në mbrojtje të Zajednicës dhe Demarkacionit dhe e ka humb të drejtën që të thirret në unitetin e popullit.
“Nuk kemi ndonjë përgjigje prej presidentes dhe kjo dëshmon edhe njëherë se presidentja është bërë pjesë e krahut të pushtetit në mbrojtje të Zajednicës dhe Demarkacionit. Një presidente që e refuzon edhe një herë të vetme me fol për me iu referu 200 mijë nënshrkimeve të qytetarëve, e që është peticioni më i madh në Kosovë nuk mund të thirret në unitetin popullorë”, shtoi ai.
Thotë se në muajin nëntor është dorëzuar peticioni por një presidente serioze, vlerëson Krasniqi, është dashur që deri tash ta bëjë një deklarim për atë punë.
“Ne kemi kërkuar në mënyrë publike vazhdimisht që ajo të jep një përgjigje, por një gjë të tillë nuk e ka bërë”, përfundoi ai.
E përgjigje të shkurtë dhe të prerë, ka dhënë për lajmi.net, Safet Zejnullahu nga zyra e Presidentes. Nuk është se janë dhënë shumë sqarime për peticionin, edhe përkundër pyetjeve që u janë drejtuar.
Ai thotë se Presidentja edhe para se ta pranojë zyrtarisht peticionin nga përfaqësuesit e opozitës, ka vepruar në bazë të kompetencave të saj kushtetuese, duke e dërguar për interpretim përputhshmërinë e parimeve të asociacionit me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.
“Në këtë mënyrë, Presidentja, në përputhje me kompetencat e saj kushtetuese dhe si faktor uniteti, ka adresuar shqetësimet e qytetarëve të Republikës së Kosovës, duke iu drejtuar organit më të lartë dhe të vetëm në vend që bën interpretimin e Kushtetutës”, ka përfunduar ai.
Përndryshe, blloku opozitar i formuar nga të tri subjektet politike Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën, filluan peticionin me 18 shtator të vitit 2015.