Nga Beqë Cufaj
Dimri i çuditshëm. Ai pothuajse i padurueshmi- as me shi e ngrica, as me dëborë- që aq shumë din ta kapërthurë Kosovën. Tavolinat e kafeneve dhe kutitë magjike të eterit kanë vetëm një lajm: mbledhinë e burrave të partisë më të madhe të Kosovës. Tek vendi. Pas sa e sa kohësh mblidhen zyrtarisht dhe jo në rrethinat e Prishinës apo në odat e punuara mjeshtërisht me dru në fshatrat e Drenicës e Rugovës.
Duan të tregohen. Që janë aty. Dy kat sipër Zanzibar-it aq të famshëm. Asaj ngrehine pranë së cilës veç para disa vitesh qe prishur një koalicion. Për t’u ndrequr të nesërmen. Dhe fill mëpas për t’u prishur sërish me mallkimet e betimet e partisë rugoviste, LDK-së, që kurrë më s’bëhen bashkë me ta. Bile shkuan aq larg sa e përmbysën Fatmir Sejdiun, zgjodhën Isën- i cili postulat e pat pikërisht betimin për luftën kundër “SHIK”-ut dhe kurrë më qeverisjes me PDK-në.
Ngjau çfarë ngjau dhe sot, LDK, siç do ta thoshte Luta në këtë gazetë, i përmbahet premtimit dhe e mbështet Hashimin për President. Duhet. Sepse LDK sot s’është gjë tjetër pos një “ogranak” i PDK-së. Të gjithë janë rehatuar. Prej Havollëve e Dumoshëve e deri në fshatrat e thella të Kosovës ku mund të gjindet ndonjë punë për “anëtarësinë”. Edhe Uka, biri plangprishës i Maximum Primus-it, duket ku është Isa. Afër sa të shihet. Larg sa të mos bie në sy.
Por pyetja është kjo: kush, athua kush u tut më së shumti që mbledhia e, e thonë me aq qejf për vete, Partisë më të madhe në Kosovë, u mbajt qe dy net rresht për të njejtën temë veç dy kate sipër Zanzibar-it? Vegjëlia ime jo. As popullata e shkallmuar nga pashpresa për ditë më të mira.
Janë aparatçikët e “ogranak”-ut të PDK-së ata që më së shumti i tuten çdo mbledhie afër Zanzibar-it.Janë të traumatizuar. E dijnë. E (para)ndjejnë. Dhe, janë të njejtit. Me ndonjë përjashtim tek-tuk, ata figurantë që gjinden (të LDK-së) në fushën e shahut të Hashimit. S’është as budallaki e aq më pak çudi kur Hashimi kafeve të Prishtinës tallej me ta dhe i lente ta kuptojnë që me dy sms-a dhe një korrier, LDK-në dikur mund ta ndante në dysh.
Sot mund t’ia humbasë edhe farën krejt. Sikurse Sejdiut (me Dacin). Apo Bacit (me Mimozën). Sepse asgjë e re nuk është kur thuhet se kush futet në torishtën e ujkut të mos çuditet… Nëse këso radhe edhe do ta caktojë- pasardhësin e Isës. Nëse në ndërkohë s’e ka bërë.
Të kenë folur veç për ato pika mirë të hartuara? E kanë hapur muhabetin e një rikonfigurimi? Çfarë do të bëhet me Enver Hoxhajn. Po Ministri i Dorashkave të Bardha që don të kthehet në vendin e moçëm. Jo atë të hapësit të portës në Velani por në Ministri. Atë Ministrinë e tij e cila e çon për Lobime. Pyetje pas pyetjeje. Për karriga. Përgjigjet e të cilave zor që mund të lexohen nga ajo deklaratë. Sepse aty s’ka as nëntekst as shifra që duhet deshifruar.
Burrat e mbledhisë veç dy kate sipër Zanzibar-it- janë mbledhur, kanë bërë atë komunikatë, janë tallur ngapak me njëri-tjetrin, aty këtu kanë ndarë ndonjërin në ndonjë qoshk dhe qortuar që s’e ka “kryer” këtë ose atë tender. S’e ka punësuar këtë ose atë “familjar”. Derte tjera s’kanë. S’kanë qenë kurrë më mirë. Janë në zenit të pushtetit. Klientela e tyre prej 200.000 të punësuarve janë të shtrirë gjithandej. Të gatshëm të mos i dorëzojnë vendet e punës. Me siguri tash janë në odën e ndonjërit dhe tallen herë me “portale” e herë me reagimet dhe ngashërimet e partnerëve të LDK-së që do ta “respektojnë” deri në “maksimum” marrëveshjen.
Pse kanë tema tjera të diskutojnë? E dijnë edhe vet që më shumë s’munden. Ose s’dijnë. Por para së gjithash s’duan.
Nëse ka kjo ndonjë rëndësi? E kanë në dorë. Kosovën. Derisa t’u thyhet si një porcelan, ciflat e të cilit do të pikojnë në borën që po vjen!