“Gjykata Speciale për krime lufte, e cila pritet të nis punën këtë vit, do të trajtojë dhe gjykojë rastet e pretenduara për të cilat janë zhvilluar hetime për 7 apo 8 vjet”, ka thënë profesori i së Drejtës Penale, Ismet Salihu, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë.
Radio Evropa e Lirë: Profesor Salihu, cilat janë përgjegjësitë që parashihen për Gjykatën Speciale për krime lufte të miratuar nga Kuvendi i Kosovës, dhe cilat janë pritjet e juaja në lidhje me lëndët që kjo Gjykatë do të trajtojë?
Ismet Salihu: Në ligjin për themelimin e Gjykatës Speciale dhe Prokurorisë Speciale janë të listuara të gjitha llojet e veprave penale, për të cilat do të jetë kompetente për të gjykuar Prokuroria dhe Gjykata Speciale. Aty janë paraparë krimet e luftës që pretendohet dhe dyshohet se janë kryer, madje edhe krimet kundër njerëzimit. Por, në mesin e këtyre krimeve, në mënyrë specifike ceken veprat penale të vrasjes, të torturës, të rrëmbimeve, të keqtrajtimeve, të personave të cilët pretendohet se kanë qenë të zënë rob, e të tjera. Në mesin e tyre, mjerisht, ceket në mënyrë specifike edhe mundësia e krimit të trafikimit me organet njerëzore, po ashtu.
Radio Evropa e Lirë: Por, sa do të jetë e vështirë të trajtohen këto raste, marrë parasysh faktin që ka kaluar një kohë e gjatë që nga mbarimi i luftës në Kosovë?
Ismet Salihu: Është interesant të ceket për opinionin se ideja për themelimin e një gjykate speciale, e cila do të trajtonte dhe gjykonte këto krimet e luftës, krimet kundër njerëzimit, ka qenë që nga viti 2001. Madje ishte përgatitur edhe një lloj infrastrukture juridike për ndërtimin dhe punën e kësaj gjykate.
Mirëpo, për shkaqe politike, strategjike e të tjera, ishte hequr dorë nga ajo ide. Sipas të gjitha gjasave kjo ishte bërë me qëllim që sa më shpejt të instalohet rendi, siguria, e tjera. Por, ajo tash është aktualizuar sërish, pas 14 – 15 viteve.
Ishte një koncept i bashkësisë ndërkombëtare të kohës, sipas së cilit, asaj çfarë kishte ndodhur t’i vihej pikë dhe të ndihmohej në ndërtimin e paqes. Mirëpo, gjatë periudhës së ardhshme 10 – 12 vjeçare e më gjatë, ishte ardhur sërish në përfundim që medoemos duhet të hulumtohen edhe ato krimet eventuale që janë kryer.
Do të jetë e vështirë që të procedohen provat e duhura, por, sipas të gjitha gjasave, mendoj që janë bërë hetime 7 – 8 vjeçare nga ana e UNMIK-ut, më pas nga ana e EULEX-it, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, pastaj me Policinë e Shqipërisë, sepse dyshohet që në veri të Shqipërisë janë dërguar disa persona të rrëmbyer dhe atje janë keqtrajtuar ose edhe janë vrarë. Kështu pretendohet.
Por, kishte bashkëpunim edhe me hetuesit e Tribunalit të Hagës në lidhje me këto dyshime dhe sipas të gjitha gjasave janë grumbulluar prova dhe fakte, mbi bazën e së cilave do të ndërtohen akuza dhe do të zhvillohet procedura penale.
Radio Evropa e Lirë: Ndërkohë, në Prishtinë ka pasur kërkesa që kjo Gjykatë të merr në trajtim edhe rastet e krimeve politike të kryera në Kosovë, para dhe pas luftës. Sa janë këto raste lëndë apo kompetencë e Gjykatës Speciale?
Ismet Salihu: Edhe ato sigurisht që do të jenë në agjendë si kompetencë lëndore, siç themi ne juristët. Përveç krimeve tjera, aty në mënyrë të veçantë thuhet se kjo Gjykatë do të ketë kompetencë të hetojë e gjykojë edhe vrasjet të cilat janë kryer me motive politike. Pra, përveç vrasjeve me motive etnike, domethënë shqiptarët ndaj serbëve apo e kundërta, do të gjykohen edhe vrasjet e rivalëve politikë. Këso vrasje ne kosovarët e dimë që ka pasur. Por, edhe ndërkombëtarët kanë bërë hetime dhe e dinë që ka pasur vrasje të tilla, si gjatë luftës, ashtu edhe pas luftës; pas 12 qershorit të vitit 1999 dhe gjatë vitit 2000 e tutje.
Megjithatë, duhet të theksohet këtu që mandati kohor i kësaj gjykate është periudha e luftës 1998-99 dhe ajo e pas luftës, pas 12 qershorit të vitit 1999 deri në dhjetor të vitit 2000.
Kështu që kjo po i bie që mandati kohor në të cilën kjo gjykatë do të ketë kompetencë të hetojë këto krime të pretenduara do të jetë periudha 18 muaj gjatë luftës dhe 18 muaj pas luftës, pas hyrjes së forcave të NATO-s në Kosovë.
Radio Evropa e Lirë: Në Kosovë, rastet e krimit të organizuar dhe korrupsionit në vazhdimësi i kanë trajtuar ndërkombëtarët. Cilat mund të jenë gjasat që këto krime të kalojnë po ashtu në përgjegjësinë e Gjykatës Speciale?
Ismet Salihu: Në mesin e këtyre krimeve për të cilat është kompetente kjo gjykatë është edhe krimi i organizuar. Aty përfshihet edhe korrupsioni. Te krimi i organizuar është karakteristik fakti se lloji i krimit, si: korrupsioni, vjedhja, trafikimi e të tjera, bëhen në bashkëpunim me strukturat politike, shtetërore, partiake. Pra, krimi bëhet me strukturat që janë në pushtet ose që kanë ndikim në pushtet.
Kështu që, në këtë aspekt, do të ketë procedime penale edhe për vepra të korrupsionit. Sigurisht në këtë drejtim do të hetohen edhe ata persona të cilët brenda 2-3 apo 5 viteve pas luftës janë bërë milionerë, pasi aty qëndron dyshimi i bazuar që një pasuri e tillë është rrjedhojë apo është bërë me anë të krimit.
Po ashtu, përveç dënimit të paraparë me dënim, parashihet edhe konfiskimi apo marrja e pasurisë së fituar me vepër penale, dhe ajo pasuri, ashtu siç thuhet, do t’u kompensohet viktimave, nëse ka persona që janë dëmtuar me anë të atyre krimeve, me ato vepra penale./REL