Lajmet e fundit

Fati i “pandashëm” i Hashim Thaçit e Kadri Veselit!

As në mbledhjen e djeshme, e as në atë të sotit të Kryesisë së PDK-së, nuk u diskutua fare për atë se kush do ta zëvendësoj Hashim Thaçin në krye të partisë më të madhe në vend.

Burime të Gazetës Blic brenda PDK-së kanë theksuar se gjithçka ka mbetur tek posti i presidentit.

“Pa u përcaktu fati i Hashim Thaçit, nëse do të arrij t’i marrë votat për president, as që do të diskutohet për nominimin e Kadri Veselit si pasues i Hashim Thaçit. Edhe nëse Hashim Thaçi do t’i ketë votat e sigurta për president, gjë që për momentin nuk i ka, atëherë formalisht duhet të mbahen zgjedhjet e reja, në mënyrë që Kadri Veseli të marrë nën drejtim partinë”, ka thënë ky burim brenda PDK-së.

Gjithnjë sipas këtij burimi, Hashim Thaçi pa i pasur votat e sigurta nuk do të kandidoj në asnjë mënyrë për postin e presidentit.

“Lista Serbe po e kushtëzon votën për Hashim Thaçit me themelimin e Asociacionit të Komunave Serbe dhe me zbatimin e marrëveshjeve. Nëse kjo nuk ndodh, atëherë Lista Serbe nuk do të marrë pjesë fare në seancë, çka do të bëjë të pamundur kourumin prej 2/3 për zgjedhjen e presidentit”, ka thënë ky burim.

Gjatë ditës së sotme, ishte shefi i deputetëve të PDK-së, Adem Grabovci ai i cili i demantoi disa medie, kinse Kadri Veseli u nominua për kryetar të partisë më të madhe në vend.

PDK pas përfundimit të mbledhjes së Kryesisë e ka lëshuar një kumtesë për medie, ku ka përmendur pikat për të cilat u diskutua në këtë mbledhje.

Sipas marrëveshjes për bashkëqeverisje ndërmjet PDK-së e LDK-së parashihet që posti i presidentit t’i takoj partisë së drejtuar nga Hashim Thaçi, derisa posti i kryeministri, partisë së drejtuar nga Isa Mustafa.

Drejtuesit e PDK-së tashmë kanë paralajmëruar se nëse Thaçi nuk do të zgjedhet president, atëherë vendi shkon në zgjedhje.

Në anën tjetër, burime ndërkombëtare theksojnë se gjasat më të mëdha për të qenë president edhe për një mandat i ka, Atifete Jahjaga.

Leave a Reply

Your email address will not be published.