Ambasadorja e Francës në Kosovë Marsye Daviet , ka bërë thirrje për vazhdimin e bisedimeve me Serbinë për të ardhmen dhe në mirë të Kosovës, derisa edhe njëherë ka treguar mbështetjen e Francës në rrugën e Kosovës drejt integrimit evropian.
Daviet këto deklarata i dha në një ligjëratë që mbajti para studentëve të Kolegjit AAB.
Ambasadorja e Francës tha se bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë janë në të mirën kombëtare për Kosovën.
“Dialogu me Serbinë nuk është kundër interesave kombëtare të Kosovës , nuk është kundër kosovarëve. Dialogu është rruga më e mirë për t’i mbrojtur interesat e juaja kombëtare, për ta garantuar procesin e integrimit”, tha Daviet.
Ajo gjithashtu u shpreh se korrupsioni ende vazhdon të jetë problem i dukshëm në Kosovë.
“Është në dorën e qytetarëve dhe politikanëve se si do ta rregulloni shtetin tuaj. Problemi më i madh i juaji është korrupsioni dhe marrëdhënia juaj me Bashkimin Evropian është kontraktuale dhe me këtë nivel të korrupsionit nuk shkon”, tha Daviet./K.Press