Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armando Duka beson te forca e grupit të kuqezinjve për të marrë rezultate pozitive në Europian. Në një intervistë për “Mapo”, kreu i FSHF-së tha se Shqipëria do të ballafaqohet si e barabartë me çdo kundërshtar.
“Të gjithë, e kuptojmë se sa e vështirë është arritja e një objektivi të tillë. Besoj se të 24 skuadrat pjesëmarrëse në Francë e dëshirojnë një gjë të tillë dhe kjo shikohet si një objektiv parësor për pretendentët dhe synimi kryesor për skuadra më të vogla.
Unë them se Shqipëria, gjatë kualifikueseve ka dhënë prova se mund të ballafaqohet si e barabartë me çdo lloj kundërshtari. Rritja e skuadrës është evidente dhe ne jemi të bindur, se në këtë pjesëmarrje të parë në këto finale, ne do të japim maksimumin. Nuk jemi skuadër favorite por do të luajmë të gjitha shanset tona për të dhënë maksimumin në Francë”- tha Duka.
Përsa i përket afrimit të futbollistëve në Kombëtare, Duka theksoi që vetëm ata që shkëlqejnë në fushën e lojës e meritojnë një vend në grupin kuqezi.
“Vështirë të thuhet që gjatë një periudhe 10-12 vjeçare, vëzhgimit të specialistëve të FSHF, t’i ketë shpëtuar ndonjë futbollist, që është formuar dhe luan në Shqipëri. Po ju përmend Salihin, Shkëmbin e shumë të tjerë në 2005 për të vazhduar më pas me Bakajn, Hykën, Muzakën Vilën etj, apo me Lilën e Agollin, të gjithë të dalë nga kampionati shqiptar.
Pa përmendur lojtarët aktualë të Shqipërisë, Balaj, Roshi, Vajushi dhe veçanërisht Hysaj, që kanë luajtur herët me të gjitha seleksionet e moshave. Në këndvështrimin tonë si FSHF, nuk ka ndarje mes lojtarëve që luajnë brenda apo jashtë Shqipërisë. I vetmi kriter është forma sportive dhe ajo që japin në fushën e lojës. Pra e meritojnë apo jo, të jenë në skuadrën kombëtare.
Natyrisht duke qenë të ndërgjegjshëm, se duke u aktivizuar në kampionate të niveleve të larta, ata rriten më shumë profesionalisht dhe ky është një test i padiskutueshëm” ka thënë Duka.