Ish- kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosoëvs, Enver Hasani sot sërish u ka dërguar mediave një njoftim. Ai kësaj radhe nuk ka folur për dy aktakuzat e tij, por për punën që e kishte bërë si përkthyes në Konferencën e Rambujesë.
Deklarata e plotë e Hasanit:
Të nderuar përfaqësues të medieve,
Për hir të së vërtetës, desha t’ju bëj me dije se, në një incizim të AFP-së nga Konferenca e Rambujesë, në Kosovë po interpretohet gabimisht cilësia ime atje si “përkthyes i Hashim Thaçit”. Desha t’ju them se asnjëherë në jetën time nuk kam qenë përkthyes, përkundër respektit të madh që kam për atë profesion. E vërteta e atij incizimi është kjo:
Incizimi është bërë një ditë para mbylljes së Konferencës në Rambuje. Z. Hashim Thaçi, ka refuzuar, siç dihet publikisht, deri në fund nënshkrimin e tekstit të Marrëveshjes së Rambujesë. Për këtë arsye, ditën e fundit, ka qenë tërësisht i izoluar nga pjesëmarrësit në Konferencë, përfshirë edhe ata që zyrtarisht kanë qenë përkthyes të Delegacionit të Kosovës në Rambuje. Në këtë gjendje të tij, më ka lutur mua që ta ndihmoj dhe të përkthej për të para dhjetëra gazetarëve të huaj. Unë e kam bërë këtë për arsye krejt njerëzore, meqë jam shkolluar në atë gjuhë.
Cilësia ime në Konferencën e Rambujesë, ndryshe, dihet publikisht se ka qenë ajo e këshilltarit ligjor të Delegacionit të Kosovës.
Me respekt,
Enver Hasani