Lajmet e fundit

Institucionet e Kosovës në veri, pa “kulm mbi kokë”

Edhe pas formimit dhe funksionalizimit të institucioneve të Kosovës në Mitrovicën e veriut, institucione të dala këto nga zgjedhjet lokale të Kosovës, në këtë komunë vazhdojnë të funksionojnë strukturat paralele, të financuara nga Qeveria e Serbisë, të cilat nga autoritetet e Kosovës janë cilësuar jolegale.

Për më tepër, përfaqësuesit e institucioneve lokale në Komunën e Mitrovicës së veriut, institucione këto që funksionojnë brenda sistemit të Kosovës, thonë se janë duke punuar në kushte aspak të mira, madje jo të dinjitetshme në krahasim me strukturat jolegale.

Në Mitrovicën e veriut edhe më tutje udhëheqja lokale nuk i posedon hapësirat për punë dhe as objektin për mbajtjen e seancave të rregullta të Kuvendit komunal.

Kryetarja e Kuvendit të Komunës së Mitrovicës së veriut, Ksenija Bozhoviq, thotë për Radion Evropa e Lirë se situata momentale, për sa u përket kushteve elementare të punës në këtë komunë, është e rëndë, pavarësisht marrëveshjeve të arritura në Bruksel ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Kuvendi komunal funksionon në kushte absolutisht të këqija, sepse asgjë nga ajo që është në marrëveshjen e arritur në Bruksel, nuk është zbatuar në terren. Ne, madje, nuk i kemi as hapësirat tona. Kur i mbajmë mbledhjet, këtë e bëjmë duke i shfrytëzuar sallat dhe hapësirat e huaja, gjegjësisht, në këtë rast, objektin e dikurshëm për riparimin ushtarak në Mitrovicën e veriut”, ka theksuar Bozhoviq.

Ajo ka shtuar se askush nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal e Qeverisë së Kosovës, nuk i ka kontaktuar autoritetet lokale të Mitrovicës së veriut, për t’i siguruar kushtet elementare të punës për Kuvendin komunal.

“Nuk mundet askush të thotë që ministritë kompetente nuk janë të njoftuara me problemet tona, e sidomos për faktin që ne i kemi potencuar ato në takimet tona dhe para njerëzve të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, të cilët e kanë bërë mbikëqyrjen”.

“Në asnjë moment nuk kemi marrë asnjë përgjigje nga ministritë përkatëse që ta zgjidhin problemin tonë, qoftë kjo edhe një zgjidhje e përkohshme. Do të thotë, nuk ekziston vullneti për këtë”, ka theksuar Bozhoviq.

Në anën tjetër, organet e ashtuquajtura të përkohshme të Komunës së Mitrovicës së veriut, që i financon dhe mbështetë Qeveria e Serbisë dhe të cilat, autoritetet e Kosovës dhe autoritetet ndërkombëtare i cilësojnë si jolegale, selinë e tyre e kanë në ish-objektin e Administratës së Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), si dhe në objektin e ri të ndërtuar të Kuvendit komunal jolegal, në të cilin rregullisht mbahen mbledhjet e këtij organi jolegal.

Kryetari i të ashtuquajturit Organ i përkohshëm i Komunës së Mitrovicës së veriut, Aleksandar Spiriq, duke folur për Radion Evropa e Lirë shpjegon që ky organ është themeluar në shtator të vitit 2013, me mbështetjen e fuqishme dhe financiare të Qeverisë së Serbisë dhe Zyrës së saj për Kosovën.

“Organi i përkohshëm i Mitrovicës funksionon në një mënyrë mjaft pozitive, për faktin që ne jemi shtylla kurrizore dhe çelësi i mbijetesës së popullit serb në këto hapësira”.

“Ajo që kemi bërë deri më tash për qytetit është fakti që Mitrovica ka përparuar dukshëm kur bëhet fjalë për projektet infrastrukturore ose punësimin e të rinjve përmes programeve të ndryshme në bashkëpunim me Shërbimin kombëtar të shtetit të Serbisë për punësim, përmes punëve publike dhe trajnimeve profesionale”, ka theksuar Spiriq.

Ai ka shtuar se përmes, siç e ka quajtur ai, ndihmës së madhe të Serbisë dhe kryeministrit të saj Aleksandar Vuçiq, si dhe drejtorit të Zyrës për Kosovën të Qeverisë së Serbisë, Marko Gjuriq, në vitin 2015, janë ndarë rreth 100 banesa për familjet e këtij qyteti.

Megjithatë, ai nuk ka precizuar se cila është shuma e mjeteve financiare që ky i ashtuquajtur organ i përkohshëm ka marrë nga Qeveria e Serbisë.

Në anën tjetër, propozimi i ndryshuar i Komunës së Mitrovicës së veriut, që funksionon brenda sistemit të Kosovës, për vitin 2016, është miratuar në shumën rreth 10 milion e 650 mijë euro.

Ndërkaq, propozimi për buxhetin e vitit 2016, të cilin Ministria e Financave e Kosovës ia ka dërguar Komunës së Mitrovicës së veriut është rreth 5 milion euro, gjë që nga drejtuesit komunal është vlerësuar “joreal” dhe “i papranueshëm”.

Leave a Reply

Your email address will not be published.