Kryeministri i Turqisë, Ahmet Davutoglu, ka deklaruar se forcat e armatosura turke në 48 orët e fundit kanë kryer sulme të shumta mbi pozicionet e organizatës terroriste ISIS në Siri dhe Irak, dhe se në këto sulme janë vrarë rreth 200 terroristë, raporton Anadolu Agency (AA).
Kreu i qeverisë turke me rastin e drekës së punës iu drejtua pjesëmarrësve të Konferencës së 8-të të Ambasadorëve të Republikës së Turqisë dhe me këtë rast nderoi viktimat e sulmeve të fundit terroriste në Stamboll.
“Pasi që u konstatua se pas sulmit brutal në Stamboll qëndron ISIS-i, kemi urdhëruar Forcat tona të Armatosura që të kryejnë sulme mbi pozicionet e ISIS-it në Siri dhe Irak. Që atëherë e deri më tani, në afat prej rreth 48 orësh, kemi kryer rreth 500 sulme me tank, top dhe sulme të tjera mbi fortesat dhe strehimoret e ISIS-it në Bashika në Irak dhe Siri përgjatë kufirit tonë. Janë neutralizuar rreth 200 pjesëtarë të ISIS-it, të cilët janë zbuluar më parë veç e veç, dhe në mesin e tyre ka disa udhëheqës të vetë-shpallur të këtyre rajoneve”, tha Davutoglu.
Davutoglu theksoi se Turqia dërgoi një mesazh se tani e tutje ndaj çfarëdo kërcënimi ndaj qytetarëve dhe turistëve të saj do të kundërpërgjigjet me ndëshkime të ashpra. Ai shtoi se Turqia do të vazhdojë luftën e saj të vendosur deri sa të largojë terroristët e ISIS-it nga kufiri i saj, të ndalojnë veprimet e tyre me të cilat njollosin fenë e lartësuar islame dhe të humbin çdo ndikim.
Davutoglu gjithashtu tha se grupi terrorist ISIS duhet të shihet si kërcënim për të gjithë njerëzit e shtypur, duke përfshirë edhe refugjatët nga Siria, si dhe trajtimi i gabuar se të gjithë muslimanët në botë janë kërcënim potencial, në fakt ishte qëllimi që kishin arritur terroristët të cilët po keqpërdorin fenë.