Pesë vite nga largimi prej postit të Presidentit të Kosovës dhe vetëm një muaj para procesit të zgjedhjes së kryetarit të ri të shtetit kosovar, ish-presidenti Behgjet Pacolli ka depozituar në Gjykatën Kushtetuese një kërkesë për zgjedhjen e Presidentit me votë të drejtpërdrejtë nga qytetarët.
Presidenti i Aleancës Kosova e Re kërkon nga Gjykata Kushtetuese, që të interpretojë rezolutën e Kuvendit, e cila është miratuar në vitin 2011 pas marrëveshjes politike mes kreut të PDK-së, Hashim Thaçi; atij të LDK-së, Isa Mustafa; si dhe vet kreut të AKR-së, Behgjet Pacolli, e cila parashikonte që zgjedhja e presidentit të ardhshëm të Kosovës të bëhej nga qytetarët, e jo nga Kuvendi.
Top Channel e ka siguruar nga burime pranë Gjykatës Kushtetuese, lëndën që Pacolli ka dorëzuar të enjten në këtë gjykatë.
Sipas lëndës, Pacolli ka kërkuar nga Kushtetuesja, që të vërtetojë shkeljet e lirive dhe të drejtave të parashtruesit, si dhe të detyrojë Kuvendin të zbatojë rezolutën, duke zbatuar procedurën e mëtejshme të votimit të amendamenteve kushtetuese, të propozuara për zgjedhjen e drejtpërdrejtë të presidentit, pa e paragjykuar rezultatin e votimit dhe duke respektuar mandatin e lirë të deputetëve e parimet e tjera kushtetuese.
Ish-Presidenti Pacolli pretendon se, shkelja e Kushtetutës është bërë në vazhdimësi prej vitit 2011, pasi – sipas lëndës së tij, – Kuvendi ka qenë i detyruar me rezolutë, që t’i hedhë në votim amendamentet kushtetuese, që parashikonin formën e zgjedhjes së presidentit nga qytetarët.
Në kërkesën e tij drejtuar Gjykatës Kushtetuese, Pacolli ka cituar rezolutën e miratuar nga Kuvendi më 7 prill 2011, e cila parashikonte që zgjedhjet e para presidenciale në Kosovë të mbaheshin jo më vonë se 6 muaj nga data, në të cilën ndryshimet e nevojshme kushtetuese dhe legjislative do të hynin në fuqi.
Por – sipas Pacollit, – ndërkohë që Kuvendi ka formuar komisionet, të cilat kanë hartuar amendamentet kushtetuese për zgjedhjen e drejtpërdrejtë të Presidentit, procesi është ndërprerë dhe, amendamentet që kishin kaluar edhe filtrin e Gjykatës Kushtetuese nuk ishin hedhur fare për votim në Kuvend.
Ndaj, Pacolli pretendon se, atij dhe partisë së tij i janë shkelur të drejtat, pasi ishin pjesë e marrëveshjes, e cila ishte shndërruar në rezolutë. Me këtë rast, Pacolli ka kërkuar nga Gjykata Kushtetuese, që të vërtetojë shkeljet e lirive dhe të drejtave dhe të detyrojë Kuvendin, që të zbatojë rezolutën, duke zbatuar procedurën e mëtejshme të votimit të amendamenteve të propozuara për zgjedhjen e drejtpërdrejtë të presidentit.
/ Top Channel