Nga Beqë Cufaj
Vazhdojmë të jemi në dimër. Në nënqiellin kampion të harresës, Kosovën e shkallmuar përtoke politikisht, ekonomikisht dhe moralisht, askush s’kujtohet me qejf për të kaluarën.
Edhepse ajo, e kaluara, për të folur me plakun e fshatrave të thella pranë Missisippi-t, William Faulkner-in, jo që s’ka vdekur por as që ka kaluar. Ta kujtojmë vetëm dimrin e vitit të kaluar. Janarin. Dramat në stacionin e autobusëve në Kryeqytet, Prishtinë. Ende s’kishin zbarkuar kamerat e rrjeteve televizive globale. Ende askush në Entin Federal për Migracion dhe Refugjatë në Nürnberg dhe mëpas edhe Berlin s’kishte llogaritur me stuhinë e madhe njerëzore që po mësyente nga shteti i Kosovës. Për tre muaj, vetëm tre muaj, fund-dhjetor deri në fund-mars, Republikën më të re të Europës e lëshuan jo më pak se 30.000 njerëz të këtij vendi. Pa konflikte ndëretnike as pa zhvillime lufturake.
Europa fërkonte sytë. Berlini kishte bërë përllogaritjet me sirianët por jo me shqiptarët nga Kosova. Isa dhe Hashimi ishin të përhumbur. S’dinin ta shpjegonin. Derisa Isa bëri Isën që e njohim- dhelpërën që priste, Hashimi me instinktin e tij prej kampioni shfrytëzoi dhe kapi rastin të kthehej- në opinionin gjerman. Me intervista (Bild, Spiegel, FAZ) dhe deklarata të formuluara dhe logjike: trafikantët kishin shkepur lajmin që Gjermania jepte azil dhe me këtë u merrte para njerëzve për kalime ilegale të kufinjve. E vërtetë. Por ajo që Hashimi, e lëre më Isa, nuk e thoshin: ata njerëz që u dolën nga dora e kishin parë ditën (e keqe!) që më me mëngjes. Koalicioni PDK-LDK s’ishte gjë tjetër pos një korporate për punësim anëtarësie dhe asgjë më. Prandaj dëshpërimi. Dhe ikja nga atdheu i lirë por ngulfatur nga krimi dhe korrupsioni i Korportatës.
Ikje siç e kishin bërë shqiptarët veç në kohën e fillimeve dhe fundit të Sllobës. Në të 80-at e 90-at. Dhe tashti sërish.
Pse krejt ky kujtim? Sepse në Ballkan në përgjithësi dhe ndër shqiptarë në veçanti lajmi që shkepet shpejt bëhet edhe modë. Jep guxim për veprim. Njerëzit e këtij nënqielli, kur e ndjejnë që s’po shkon më, që mbështeten për muri, jo me turravrape por dalngadalë por sigurtë, duke prekur për toke dhe kujdesin e amanatetit që ua kanë lënë baballarët, fillojnë të rebelohen. Para stuhive të cilave u nxjerrin gjoksin dhe ballin. Ka traditë: pas Luftës së Dytë, në vitet 60 dhe sidomos 80 e 90. Njeriu i Kosovës është tragjiku i trajnuar për të protestuar dhe protesta e tij, kur nisë, s’din të ndalet derisa të mos ngjajë ndryshimi.
Duke parë që Hashimi e Isa ende s’e kanë parë seriozitetin e situatës s’do të ishte keq t’ua kujtojmë: protesta e ardhshme e Opozitës s’do të jetë protestë veç e opozitës! Sepse lajmi është shkepur. Njerëzit e këtij vendi e kanë parë që mundkan të tubohen dhe të protestojnë: masovikisht. Aq sa ta dridhin Prishtinën dhe Ballkanin. Duke matur veç pak pulsin e njeriut të lodhur të atij vendi s’do të duhej ta dijnë që do të gabonin rëndë nëse edhe njëherë do të provojnë t’i përgatisin manuskriptet e tyre për “dhunën” që do të shkaktohet.
Sepse në protestën e ardhshme s’do të ketë dhunë.
Në të, nëse vie deri tek ajo protestë, Qeveria thjesht do të bie… Dhe mënyrat sesi një Qeveri bie mund të jenë dy: e shëmtuara ose ajo me një fair-play.
Është metafora e ikanakëve të vitit të kaluar. E nisën dy a tre për t’u bërë dhjetëra mijëra!
Është fenomeni i njeriut të Kosovës i cili aq kishte rënë përtoke sa mendonte që më s’kishte as forcë të mbledhej dhe shkrihej në mënyrë që të protestojë. Njeriu i Kosovës në masë? Sport me skena të rënda- të cilin Isa dhe Hashimi duket që e kanë harruar.
S’do të jetë dhe s’mund të jetë protestë veç e opozitës sepse përtej saj, njerëzit nga tubimi i fundit e kapën mesazhin kryesor: fuqinë dhe furiozitetin e masës me magjinë e saj e cila mund t’u ndryshojë çdo gjë. Çdo gjë për të cilën ky vend ka nevojë. E bukur dhe frikshme. Por para së gjithash e domosdoshme. Që të vazhdojmë të harrojmë.