Lajmet e fundit

Ministri Çollaku dorëzoi në BE inputin e fundit për liberalizim të vizave

Ministri i Integrimit Evropian, Bekim Çollaku, i ka dorëzuar sot Bashkimit Evropian, inputin e fundit për plotësimin e tetë rekomandimeve për liberalizimin e vizave.

Ky input, përmban rezultate dhe të arritura konkrete përgjatë tre muajve të fundit të cilat pritet të vlerësohen pozitivisht nga institucionet e BE-së.

Njëkohësisht Qeveria e Republikës së Kosovës, pret që në bazë të zotimit dhe dinamikës së prezantuar nga Komisioni Evropian, me rastin e publikimit të fundit të raportit të tyre me datë 18 dhjetor 2015, të realizohet vizita e komisionerit të BE-së për Migrim, Çështje të Brendshme dhe Shtetësinë, Dimitris Avramopoulos, në Kosovë, për të konfirmuar së bashku zbatimin e rekomandimeve. Kjo do t’i hapë rrugë Komisionit Evropian për t’i propozuar Parlamentit Evropian dhe Këshillit të BE-së heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës.

Ministri Çollaku, shpreh mirënjohje dhe vlerësim për punën e jashtëzakonshme të qindra zyrtarëve të administratës shtetërore të Republikës së Kosovës, përgjatë gjithë procesit të liberalizimit të vizave e sidomos në muajt e fundit. Po ashtu shpreh bindjen se përkushtimi dhe rezultatet e arritura do të kurorëzohen me vendim meritor që në pjesën e dytë të këtij viti qytetarët e Kosovës të lëvizin pa viza në vendet e BE-së. /Telegrafi/

Leave a Reply

Your email address will not be published.