Lajmet e fundit
Vetëvendosje: Universiteti s’mund të ndahet etnikisht

Vetëvendosje: Universiteti s’mund të ndahet etnikisht

Lëvizja Vetëvendosje, përmes një njoftimi për media të dërguar në mëngjes është marrë me mbledhjen e fundit të Qeverisë së Kosovës, e mbajtur të mërkurën, e ku ndodhi edhe një bllokim i ri nga Ministrat e Listës Serbe.

“Projektligji për Arsimin e Lartë në Kosovë me gjithë vërejtjet apo sugjerimet lidhur me të përkufizon institucionet e arsimit të lartë që veprojnë në vendin tonë. Këto institucione pra, kolegjet dhe universitetet janë të Kosovës dhe për qytetarët e Kosovës. Ato nuk mund të ndahen dhe kategorizohen brenda ligjeve tona sipas etnisë. Sidomos universitetet karakteri i të cilëve është universal dhe lidhet me dijen e dobinë shoqërore”, thuhet në njoftimin e LVV-së.

Bllokimi i miratimit të këtij projektligji në Qeverinë e Kosovës nga ana e Ministrave të Listës Serbe me kërkesën për futjen në ligj si kategori e veçantë e Universitetit të Mitrovicës së veriut dhe financimit të tij nga Serbia është kërkesë për ta etnizuar sistemin universitar në Kosovë, thotë LVV.

“Universiteti në fjalë është i rregulluar në normativët e pushtetit komunal meqenëse paraprakisht Kosova ka bërë lëshime që këto Komuna më shumicë të popullsisë serbe të kenë hapësira për shkollim universitar specifik”, thuhet në njoftim. “Por Listës Serbe kjo nuk i mjafton. Ata kërkojnë që ta mbajnë të izoluar këtë universitet nga pjesa tjetër e Kosovës dhe ta kategorizojnë brenda ligjit si Universitet të një etnie. Bllokimi e kërkesat e tyre, njëjtë si me ndërmarrjet publike dhe me çështjen Forcave të Armatosura të Kosovës, po shkojnë në të njëjtin drejtim me atë të marrëveshjes për ‘Zajednicën’, pra ndarjes etnike të Kosovës në çdo zonë të rregullimit shtetëror e shoqëror”, thuhet më tej aty.

Vetëvendosje i bën thirrje profesorëve e studentëve të ngrenë zërin për mos ta lejuar këtë kërkesë që shkon në kundërshtim me çdo parim të funksionimit të universiteteve, shoqërisë dhe republikës sonë.

Leave a Reply

Your email address will not be published.