Lajmet e fundit

Gjuriq: Shpresoj se Gjykata Speciale nuk do të dështojë si ajo e Hagës

Me të marrë vesh që Holanda ka nisur procedurat për themelimin e Gjykatës Speciale që do të hetojë krimet e luftës të kryera në Kosovë, në periudhën 1999-2000, drejtori i zyrës serbe për Kosovë, Marko Gjuriq, ka nxituar për të dhënë komentet, mbështetjen, por edhe mëdyshjet e tij, nëse kjo Gjykatë do ta marrë me seriozitet apo jo dënimin e ish-pjesëtarëve të UÇK-së.

Gjuriq, ka thënë se shpreson se kjo gjykatë do të jetë më efikase në punën e saj se sa Gjykata Ndërkombëtare e Hagës, që hetoi krimet e kryera në ish-Jugosllavi.

Sipas mediave serbe, Gjuriq ka theksuar se ishte pikërisht ajo gjykatë në Hagë që nuk ia kishte dalë të hedh dritë mbi krimet e kryera nga ish-ushtarët e UÇK-së, derisa ka shtuar se “në vend të drejtësisë ka pasur një fushatë të organizuar për frikësimin dhe likuidimin e dëshmitarëve, ndaj të cilës fushatë nuk kishte përgjigje konkrete.”

“Shpresojmë se Gjykata e re të tregojë më shumë vendosmëri dhe më shumë efikasitet dhe më në fund, kriminelët të vihen përpara drejtësisë. Sigurisht, Serbia do të ndihmojë që e vërteta për krimet e terroristëve të UÇK-së të dalë në dritë dhe ata të dënohen. Shpresojmë se shqiptarët e Kosovës dhe Metohisë, pas këtij procesi, të gjejnë forcën për të distancuar veten nga krimet e kryera në emër të tyre”, ka thënë Gjuriq.

Sipas tij, Serbia mbështet përpjekjet për të sjell para drejtësisë përgjegjësit dhe dënimin e tyre ,si dhe individualizimin e fajit. Sipas tij, kjo është një pjesë e detyrueshme për procesin e pajtimit, si dhe obligim moral për familjet e viktimave.

Gjuriq ka thënë se shqiptarët në Kosovë nuk janë shprehur të gatshme për të ndjekur dhe dënuar bashkatdhetarët e tyre që kanë kryer krime, dhe sipas tij kjo është një vazhdimësi dështimesh përmes fshehjes së tyre.

“Është mirë që procedurat të kryhen jashtë Kosovës dhe Metohisë, por përvoja e së kaluarës tregon se kjo nuk është një domosdoshmëri për të arritur sukses dhe e zbulimit të së vërtetës, për të dënuar kriminelët”, u shpreh ai. /KosovaPress/

Leave a Reply

Your email address will not be published.