Lajmet e fundit
Zhushi mban postin edhe pas ngritjes së aktakuzës për keqpërdorim të detyrës

Zhushi mban postin edhe pas ngritjes së aktakuzës për keqpërdorim të detyrës

Ferdije Zhushi vazhdon të jetë kryetare e Bordit të Agjencisë Kosovare të Akreditimit, edhe pasi që Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzën ndaj saj, për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Përderisa Ministria e Arsimit dhe Bordi i AKA-s nuk kanë ndërmarrë asnjë veprim në lidhje me largimin nga detyra të Ferdije Zhushit, kjo e fundit ka mohuar se është ngritur aktakuza kundër saj dhe tre personave të tjerë, si bashkëkryes të veprës penale, shpërdorim i pozitës zyrtare ose i autorizimit dhe marrje-dhënie të ryshfetit.

Për ngritjen e aktakuzës kundër Zhushit dhe tre personave të tjerë, të mërkurën e ka konfirmuar edhe Prokuroria Speciale e Kosovës.

“Ju informoj se më 31.08.2015, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurve: Basri Muja, Ferdije Zhushi-Etemi, Armend Muja dhe Naim Braha”.

“Të pandehurit: Basri Muja, Ferdije Zhushi-Etemi dhe Armen Muja janë akuzuar për veprat penale: Shpërdorim i pozitës zyrtare ose i autorizimit dhe marrja e ryshfetit, ndërkaq i pandehuri Naim Braha është akuzuar për veprën penale dhënia e ryshfetit”.

Leave a Reply

Your email address will not be published.