Kryetari i Komunës së Skënderajt, Sami Lushtaku, i cili aktualisht po vuan dënimin me burg, ka filluar grevë urie pasi konsideron se nuk ka marrë tretmanin e duhur mjekësor për problemet shëndetësore nga të cilat ai vuan.
Dje u raportua për shtrirjen e Lushtakut në QKUK për dy ditë pasi gjendja e tij shëndetësore ishte rënduar. Lushtaku në vazhdimësi ka shfaqur shenja të komplikimeve kardiake.
Burime të KosovaPress-it tregojnë se sot është dita e dytë e grevës për Sami Lushtakun brenda Burgut të Sigurisë së Lartë.
Përkundër sugjerimit të mjekëve që Lushtaku të qëndrojë në spital dhe të marrë tretman mjekësor, kjo gjë nuk është autorizuar nga gjykatësi që e ka në dorë rastin e tij.
“Edhe përkundër shëndetit të tij të përkeqësuar, gjykatësi i rastit ka marrë vendim që Lushtaku të mos qëndrojë në spital, edhe pse mjekët kanë sugjeruar të kundërtën per shkak te gjendjes së tij të rëndë”, thotë ky burim.
Avokati i Lushtakut, Arianit Koci, tha se nuk mund ta konfirmojë nisjen e grevës së urisë nga Sami Lushtaku, për shkak se momentalisht gjendet jashtë vendit.
Mirëpo, Koci tha se Lushtaku nuk është duke marrë trajtim adekuat mjekësor.
“Çfarë mund të them është se, Lushtaku trajtimin adekuat mjekësor nuk e ka. Është në gjendje të rëndë shëndetësore”, tha ai.
Ish-komandanti i UÇK-së, Sami Lushtaku, si pjesë e procesit gjyqësor “Drenica”, është dënuar me 12 vite burg nga Gjykata Themelore e Mitrovicës për vrasjen e një civili shqiptar.