Nga Fakulteti i Edukimit, i Universitetit të Prishtinës, profesor Qosja i dërgon mesazh “paqeje” Ismail Kadaresë.
Siç shkruan e përditshmja nga Tirana Mapo, duket se po vendoset paqja mes dy personaliteteve të letrave shqipe, Rexhep Qoses dhe Ismail Kadaresë. Mes tyre kemi dëgjuar jo pak herë të debatojnë me tone të ashpra, veçanërisht në vite të fundit për çështje të identitetit shqiptar, raporton Kosovanews në Prishtinë.
Ndërsa pak ditë më parë mediat e Kosovës kanë shpërndarë lajmin se Rexhep Qosja është propozuar nga Unioni i Shkrimtarëve të Kosovës për çmimin Nobel, kjo si duket ka “zbutur” shkrimtarin dhe studiuesin.
Kështu, dje, në Fakultetin e Edukimit të Universitetit të Prishtinës, profesor Rexhep Qosjen, duke folur për temën “Çështja shqiptare dhe Europa e Bashkuar”, pas ligjëratës, studentët e kanë detyruar ndër të tjera t’i përgjigjet pyetjes rreth marrëdhënieve me Kadarenë, nominuar prej vitesh për çmimin Nobel. Përveç debateve në distancë mes tyre, asnjëherë nuk është folur prej secilit se si janë raportet mes tyre. Qosja dje ka pranuar të përgjigjet.
Dy herë keni polemizuar me Kadarenë, i thanë studentët profesor Qosjes: herën e parë në fillim të viteve ’70, në temën “letërsia shqipe dhe letërsia europiane”, ndërsa herën e dytë “Europa dhe identiteti shqiptar”. “Dy herë Europa u bë sherr mes jush!”, i janë drejtuar studentët Qosjes.
Për këtë, shkrimtari i Kosovës është përgjigjur me tone miqësore, duke vlerësuar Kadarenë si shkrimtar, por dhe zbutur përgjigjen për çështjet historike dhe ideore mes tyre.
Qose është shprehur se: “Ismail Kadare, është shkrimtar me talent të shquar dhe si i tillë ka të drejtë që në mendimet e tij të shprehë dëshirat e tij; unë jam para se gjithash historian i letërsisë, i cili në radhë të parë, bazohet në faktet konkrete. Për çështjet që kemi diskutuar me Kadarenë unë kam folur si studiues, ndërsa ai si shkrimtar. Ai bazohet në imagjinatën, ndërsa unë në të dhënat.
Por, e ka përfunduar fjalën e tij profesor Rexhep Qosja, ata që polemizojnë mes veti, shumë herë, janë njerëz që e duan njëri-tjetrin”.