Lajmet e fundit

Lufta kundër korrupsionit dhe luftimi ekonomisë joformale, prioritetet e Qeverisë

Lufta kundër korrupsionit, evazionit fiskal, vazhdimi i reformave fiskale dhe integrimi i vendit në proceset evropiane dhe ndërkombëtare, nga përfaqësues të bizneseve konsiderohen prioritetet kryesore që duhet të ketë Qeveria e Kosovës gjatë vitit 2016.
Sipas tyre, përmbushja e këtyre prioriteteve, do të ndikonte në rritjen e investimeve të huaja, përmirësimin e sektorit privat, rrjedhimisht uljes së shkallës së varfërisë dhe papunësisë.

Agim Shahini, kryetar në Aleancën Kosovare të Biznesit, për Radion Evropa e Lirë, thotë se në kuadër të kësaj, autoritetet kompetente duhet të fokusohen në krijimin e Strategjisë Kombëtare për Zhvillim Ekonomik, në mënyrë që Kosova të orientohet në politikat zhvillimore.

“Mungesa e një Strategjia Kombëtare për Zhvillim Ekonomik është një nga mungesat e mëdha që Kosova nuk po përmbush karshi kërkesave të investitorëve. E, kjo strategji do të orientojë edhe bizneset, investitorët por edhe vetë Qeverinë për të krijuar politika zhvillimore në këtë drejtim”, thotë Shahini.

Edhe kryetari i Odës Ekonomike Gjermane në Kosovë, Samir Krasniqi, vlerëson se Kosova duhet t’i qartësojë prioritetet në shërbim të situatës ekonomike, sepse thotë ai, pritjet e komunitetit të biznesit për vitin që lamë pas, janë larg realizmit.

Krasniqi përmend tri prioritete ekonomike, me të cilat autoritetet kompetente, duhet të nisin vitin.

“Në listën e top-prioriteteve duhet të prijë respektimi dhe sundimi i pakompromis i ligjeve që përbrenda ngërthejnë më vete luftën kundër korrupsionit, evazionit fiskal, joformalitetit”.

“Prioritet tjetër duhet të jetë një reformë e thellë ekonomike, e fokusuar në radhë të parë në stimulimin e prodhimit. Dhe, patjetër, si prioritet duhet të jetë rishikimi i buxhetit të vitit 2016, pasi ky buxhet është miratuar shkel e shko, e që është buxhet social,e duhet të jetë buxhet investiv”, konsideron Krasniqi.

Të gjitha këto prioritete janë të ndërlidhura ndërmjet vete, shton Krasiniqi.

“Pa dyshim, vetëm duke stimuluar sektorin privat, do të ketë zvogëlim të papunësisë, zhvillim ekonomik dhe në këtë mënyrë do të mbushet arka e shtetit. Qasja e Qeverisë deri më tani, megjithëse në interpretimet e tyre,janë që po mbështesin sektorin privat, mirëpo deri më tani nuk është bërë aq sa kemi pritur. Dhe, kjo duhet të ndryshuar. Duhet fokusuar më shumë për të stimuluar sektorin privat”, thekson Krasniqi.

Ndërkaq, Shahini pohon se në Kosovë duhet të përmirësohet situata politike, sepse, sipas tij, politika e ka ngufatur zhvillimin ekonomik.

“Pengesat e vazhdueshme politike po e pengojnë zhvillimin ekonomik të vendit dhe ne, si aleancë, kemi vlerësuar se zhvillimi ekonomik i Kosovës është peng i politikës, duke përfshirë këtu pozitë dhe opozitë dhe politikat ndërkombëtare ndaj Kosovës dhe ekonomisë së saj”, shprehet Shahini.

Ndryshe, në fillim të vitit të kaluar, Qeveria e Kosovës kishte paraqitur programin e saj qeverisës për katër vitet e ardhshme, ku si prioritet kryesor kishte vënë zhvillimin ekonomik.

Kurse, zyrtarë të Qeverisë, tashmë kanë deklaruar se është arritur të realizohet pjesa më e madhe e programit qeverisës.

Leave a Reply

Your email address will not be published.