Në Prill të 2011’s, Presidente e Republikës së Kosovës u zgjodh nji emën i panjoftun për politikën dhe për qytetarët. E quejtun presidente konsensuale, Atifete Jahjaga erdhi në krye të shtetit kosovar edhe për shkak të mosmarrëveshjes së partnerëve të koalicionit të atëhershëm PDK e AKR. Mirëpo zgjedhja e të parës Presidente femën në krejt Ballkanin, çoi në arritjen e nji memorandumi mes PDK’s LDK’s e AKR’s, simbas të cilit, mbasardhësi i Jahjagës kishte me u zgjedhë direkt nga populli.
E pikërisht kjo asht rezoluta në mbështetje të Memorandumit, e votueme në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit, me 7 Gusht 2011.
REZOLUTË
Në mbështetje të Memorandumit të Marrëveshjes ndërmjet z. Behgjet Pacolli, z. Isa Mustafa dhe z. Hashim Thaçi
1. Kuvendi i Republikës së Kosovës shpreh përkrahjen e tij për Memorandumin e Marrëveshjes ndërmjet z. Behgjet Pacolli, z. Isa Mustafa dhe z. Hashim Thaçi (ma tej Memorandumi), të arritun më 6 prill 2011 dhe mbështet plotësisht zotimet e përmbajtuna në të.
2. Kuvendi i Kosovës mbështet zotimet dhe afatet kohore të përmbajtuna në Memorandum që kanë të bajnë me nevojën për amendimin e Kushtetutës dhe legjislacionit të ndërlidhun, në mënyrë që presidenti të zgjidhet në mënyrë të drejtpërdrejtë nga populli. Kuvendi mbështet afatin kohor të përmbajtun në Memorandum, simbas të cilit zgjedhjet e para presidenciale në Kosovë kanë me u mbajtë mbahen jo ma vonë se 6 muaj nga data në të cilën ndryshimet e nevojshme kushtetuese dhe legjislative hyjnë në fuqi. Kuvendi mbështetë themelimin e një komisioni, të udhëhequn nga nji deputet i koalicionit qeverisës, për këtë qëllim ashtu si parashihet në Memorandum. Në pajtueshmëri me Memorandumin, Komisioni ka me synue me krye punën e vet mbrenda 6- 9 muejsh nga data e themelimit.
3. Kuvendi mbështet zotimet dhe afatet kohore të përmbajtuna në Memorandum që kanë të bajnë me nevojën e amendimin të Kushtetutës, Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme dhe legjislacionit të ndërlidhun, që mes tjerash kanë me përkrahë krijimin e ma shumë distrikteve zgjedhore në vend. Kuvendi mbështet themelimin e nji komisioni, të udhëhequn nga nji deputet i opozitës, për këtë qëllim ashtu si parashihet në Memorandum. Në pajtueshmëri me Memorandumin, Komisioni ka me synue me e krye punën e vet mbrenda 8-12 muajsh nga data e themelimit.
Mirëpo kjo rezolutë me 3 pika, që parashihte krijimin 2 komisioneve, për ndryshimet kushtetuese dhe ato në ligjin zgjedhor, nuk u zbatue kurrë, edhe pse prej asaj kohe e deri tash kanë kalue gati 58 muej. Madje nji ditë ma parë, ish-Presidenti Behgjet Pacolli e kujtoi këtë rezolutë, tu’ theksue se i asht drejtue edhe Gjykatës Kushtetuese që me e detyrue Kuvendin me e zbatue atë. Në vend të tij, shumë shpejt Kuvendi pritet me iu nënshtrue nji tjetër marrëveshjeje partiake, asaj mes dy prej tre liderëve që nënshkruen memorandumin e parë, për zgjedhjen e Hashim Thaçit President.
Por jo nga populli.
Kjo mënyrë e zgjedhjes së Hashim Thaçit President, për deputetin e LDK’s, Fatmir Rexhepi asht e papranueshme. Simbas tij, përfaqësuesit e partive politike munden që deri në përfundim të mandatit të Jahjagës me i ba ndryshimet e duhuna Kushtetuese që Presidenti me u zgjedhë nga populli.
Simbas tij, nji President i dalun nga populli kishte me qenë shumë ma i fuqishëm politikisht si dhe kishte me pasë kredibilitet ma t’madh.
Njajtë si Rexhepi dhe deputetja e AAK’s, Time Kadriaj thotë se Presidenti i zgjedhun drejtëpërdrejt nga popullitkishte me qenë shumë kredibil e ma legjitim se kushdo që zgjedh Kuvendi.
Për Kadrijajn asht e pakuptueshme se si deputetët mundën, që në dy seanca me e ndryshue Kushtetutën për krijimin e Gjykatës Speciale, po jo edhe për zgjedhjen e Presidentit.
Ndërsa analisti i çashtjeve politike, Naim Rashiti sheh edhe nji arsyje tjetër pse politikanët nuk i bajnë ndryshimet e duhuna Kushtetuese për Presidentin. Simbas tij, ata kanë frikë nga numri i votave që nji President mundet me i marrë, e që me gjasë kishte me ma i madh se votat që merr nji kryeministër, sepse në zgjedhjet presidenciale mundet me pasë ma shumë votues.
Nëse ndonjani prej krenve të partive politike kishte me provue me kandidue për President në zgjedhjet e mundshme presidenciale, Rashiti thotë së vështirë që votat e tyne për deputetë apo Kryeministër, kishin me u përkthye edhe për President, sepse simbas tij, në atë garë kishte me pasë edhe kandidatë që vijnë nga jashtë partive politike.