Tajvani ka ndërtuar një kishë tepër të pazakontë. Është tepër e veçantë, e qelqtë me lartësi 16 m dhe në formën e një këpuce me take. Kjo kishë është shumë e ngjashme me atë të Hirushes në filmin vizatimor.
Kisha e cila do të hapë dyert në muajin shkurt, mesa duket është ndërtuar me një strukturë të tillë në përpjekje për të tërhequr sa më shumë femra. Ajo përbëhet nga 320 panele qelqi të ngjyrosura në ngjyrë të kaltër dhe ka kushtuar 686,000 dollarë.
Nëse e sheh nga ajri kishën e pazakontë, duket edhe një skenë e hapur në pjesën e përparme, e pajisur me drita skenike. Një zyrtar i administratës lokale ka thënë për BBC se kisha e ndërtuar në një zonë turistike në Tajvan, nuk do të përdoret për shërbesa të zakonshme fetare, por vetëm për ceremoni martesore dhe sete fotografike.
Thuhet gjithashtu se ky objekt kulti është frymëzuar nga historia e zonës. Sipas zyrtarëve, në vitet 60’, një vajzë me mbiemrin Wang e cila u prek nga një sëmundje e rëndë, iu desh të amputonte të dyja këmbët dhe të anulonte ditën e dasmës. Ajo mbeti e pamartuar dhe kaloi pjesën tjetër të jetës në një kishë. Kisha e tanishme mendohet të jetë në nderim të saj.
Megjithëse kisha është ndërtuar për femrat, këto të fundit nuk duket se e kanë mirëpritur idenë pasi shumë prej tyre në rrjetet sociale janë shprehur se kjo është mungesë respekti./Albeu.com/