Një gjykatë në Turqi i ka burgosur dhjetë sirianë si të dyshuar në lidhje me sulmin vetëvrasës që ka ngjarë javën e kaluar në Stamboll, ku janë vrarë dhjetë shtetas gjermanë.
Dhjetë shtetas sirianë po mbahen në paraburgim nën dyshimin se i përkasin grupit militant Shteti Islamik.
Gjashtë persona të tjerë të cilët janë arrestuar mbi të njëjtat dyshime, janë liruar me kusht dhe procedura ndaj tyre është duke vazhduar.
Autoritetet turke kanë thënë se sulmuesi vetëvrasës në Stamboll, i cili vendlindje e ka Arabinë Saudite, kishte lidhje me Shtetin Islamik.
Asnjë grup militant nuk e ka marrë përgjegjësinë për sulmin në Stamboll, raporton REL.
Dhjetë turistë gjermanë janë vrarë në shpërthimin e 12 janarit në zonën turistike Sultanahmet të Stambollit. Pos të vrarëve, 17 të tjerë janë lënduar.