Punëtorët e kompanisë Abi Center nga Prizreni janë në hall. Atyre u duhet të zgjedhin nëse duhet të largojnë kolegët e tyre nga puna ose të nënshkruajnë zbritjen e pagave për 20 për qind.
Drejtuesit e Abi Center si pasojë e performancës jo të kënaqshme që ka pasur biznesi vitin e kaluar kanë shpërndarë tek punëtorët një dokument me këto alternativa.
“Për shkak të rënies së qarkullimit vjetor në njësinë punuese “Tekstil” të Abi Center, punëtorëve u propozojmë dy opsione për tejkalimin e gjendjes së krijuar”, shkruan në këtë dokument, të cilin e posedon Gazeta Fjala.
Opsioni i parë që u është ofruar atyre është ulja e pagave të punëtorëve nga 20 për qind, kurse opsioni i dytë është zvogëlimi i numrit të punëtorëve (nga dy punëtor në ndërrim).
Në rast se punëtorët vendosin të rrumbullakojnë opsionin e dytë atëherë ata kërkojnë që të deklarohen se cili nga punëtorët duhet të largohet nga puna.
Në listë figurojnë 32 emra të punëtorëve.
“Abi Center” shpjegon përse e morën këtë vendim
Gazeta Fjala ka provuar të kontaktoj me pronarin e Abi Center Irfan Fusha, mirëpo sipas një zyrtari të kësaj kompanie ai gjendet jashtë vendit.
Ky zyrtarë i cili nuk ka dashur të prezantohet, e ka pranuar se Abi Center u ka kërkuar punëtorëve të plotësojnë këtë dokument, mirëpo sipas tij ka qenë një anketë anonime në të cilin nuk ka figuruar emri i atij që e plotëson.
“Nuk ka qenë dokument për nënshkrim apo deklarim, ajo ka qenë anketë anonime”, tha ai.
Pavarësisht se në dokument shkruan se punëtorëve u propozohen këto opsione për tejkalimin e gjendjes së krijuar, ky zyrtarë tha se kanë dashur vetëm të dinë mendimin e tyre por se nuk është kërkuar zgjidhje nga ta.
“Ky dokument ka qenë anketë anonime, nuk është kërkuar prej punëtorëve ndonjë zgjidhje por veç opsionet çka mendoni”
Ai thotë se ato ishin anonime dhe nuk janë nënshkruar as nuk është përmend emri i tyre dikund.
Kur u pyet se pse u desh të bëhej kjo lloj ankete siç e ka quajtur, ai u përgjigj “arsyeja shkruan në këtë dokument”.
Ky zyrtar ka treguar se gjatë kësaj jave u janë shpërndarë dokumentet punëtorëve.
Sindikata në vendin e ngjarjes
Jusuf Azemi nga Sindikata e Sektorit Privat ka thënë se bizneset nuk guxojnë t`i kushtëzojnë punëtorët me pyetësor të tillë.
“Ne në këtë rast nuk kemi informacion se kompania është duke punuar me bilanc negativ. Nëse kompania është në gjendje jo të mirë financiare atëherë duhet të ulen së bashku pronari i kompanisë dhe kryetari i sindikatës,që ta vlerësojnë gjendjen dhe t`i marrin masat e duhura”.
Azemi thotë se raste të tilla janë shqetësuese sepse në shumë raste kompanitë edhe kur kanë bilanc pozitiv dinë të manipulojnë duke u thirr në ata se gjendja e tyre nuk është e mirë.
Kur Azemi është kontaktuar të premten tha se kjo sindikatë do shkoj tek kjo kompani për të parë gjendjen faktike.
Pas këtij takimi që është zhvilluar ditën e shtunë Azemi thotë se në marrëveshje mes dy palëve është evituar problemi.
“Ju njoftoj se pas takimit me menaxherin e kompanisë Abi Center është evituar problemi në mes kompanisë dhe punëtorëve, pra si përfundim s`ka ulje pagash e as largim nga puna”, tha kryetari i sindikatës së sektorit privat.