Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës përmes një kumtese për media ka shprehur gatishmërinë që të jap kontributin e saj për gjetjen e një rruge për dalje nga kriza. Ajo nuk e ka përjashtuar mundësinë që për këtë të bashkëpunojë edhe me Qeverinë, por sipas tyre jo në format të cilat kjo e fundit i ka propozuar deri sot.
Në vijim komunikata e AAK:
Kriza politike që ka përfshirë Kosovën, asnjëherë nuk ka qenë më e thellë se sa sot. Shumë nga politikanët, intelektualët, opinionistët, gazetarët dhe qytetarët e zakonshëm, por edhe partnerët ndërkombëtarë, po përpiqen të jenë pjesë e zgjidhjes, qoftë me ide, qoftë me veprime konkrete.
Do të duhej që pjesë e zgjidhjes të bëhën edhe ata që e kanë shkaktuar këtë krizë, e jo të provojnë që ta thellojnë atë akoma më shumë, me shpresë se vetë do të jenë të kursyer.
Idetë që të krijohen do farë komisionesh që do ta intepretonin vendimin e Gjykatës Kushtetuese, për Asociacionin, apo thirrja eventuale e seancave plenare të Kuvendit, nuk i kontribuojnë zgjidhjes së kësaj krize.
Prandaj të gjithë ata që janë të ndërgjegjshëm dhe të përgjegjshëm, nuk do të duhej të ndërmerrnin veprime që e rëndojnë situatën, por që janë në funksion të zgjidhjes së krizës politike që e ka përfshirë vendin.
AAK do të jetë e përkushtuar të japë gjithçka nga vetja, që vendi ta kapërcejë këtë krizë!
AAK