Lajmet e fundit

UP-ja në zgjedhje të përgjithshme dhe të parakohshme

Nesër fillon procesi zgjedhor në UP. Rektori i ri pritet të zgjidhet brenda 90 ditëve.

Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” do të nisë këtë javë procesin zgjedhor për t’i dhënë fund një krize dhe bllokade që e kishte kapluar këtë institucion të arsimit të lartë gjatë tërë vitit të kaluar.

Vendimi që UP të shkojë në zgjedhje është marrë vitin e kaluar nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT) pasi Këshilli Drejtues i UP-së kishte shkarkuar nga pozita rektorin Ramadan Zejnullahu.

Vendimi për shkarkim qe anuluar ditën tjetër nga ministri i Arsimit, Arsim Bajrami pasi MAShT gjeti se ka pasur shkelje procedurale nga Këshilli Drejtues.

Bashkë me kthimin e rektorit në punë, MAShT kishte vendosur që UP të shkojë në zgjedhje të parakohshme në pjesën e parë të këtij viti.

Ramadan Zejnullahu ishte zgjedhur rektor për një mandat katërvjeçar  më 2 shtator të vitit 2014, por mandati i tij u shkurtua pas këtyre zhvillimeve.

Sekretari i Përgjithshëm i UP-së, Esat Kelmendi, tha se në fund të vitit të kaluar, Këshoilli Drejtues ka caktuar datën e fillimit të zgjedhjeve të përgjithshme dh etë parakohshme në këtë universitet.

Zgjedhjet që do të nisin nesër, më 19 janar, me votimin për anëtarët e këshillave të fakulteteve, sipas vendimit, duhet të përfundojnë jo më larg se 90 ditë nga dita e nisjes.

Nëse respektohen afatet, 20 prilli do ta gjejë UP-në me rektor të ri.

“Këshilli Drejtues në bazë të Udhëzimit Administrativ 07/2015, në mbledhjen e datës 23.12.2015 ka shpallur Zgjedhjet e përgjithshme dhe të parakohshme për të gjitha organet dhe të gjitha nivelet në UP”, tha Esat Kelmendi.

Zgjedhjet do të bëhen për studentët në dy nivele- Këshilla studentore dhe Parlament studentor, personeli akademik dhe jo-akademik për Këshilla të Fakulteteve, Senatorë, Dekanë, prodekanë, anëtarë të Këshillit Drejtues, Rektor dhe prorektorë.

Zgjedhjet e para, ato të studentëve tashmë janë mbajtur më 13 janar të këtij viti dhe për të njëjtat janë shpallur rezultatet.

“Më 19.1.2016 do të mbahen votimet për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillave të fakulteteve (në ato fakultete ku ka më pak se 30 profesorë, konsiderohen të zgjedhur me automatizëm të gjithë profesorët të cilët kanë apikuar). Gjithashtu do të votohet për zgjedhjen e  një (1) anëtari të Senatit nga personeli akademik prej secilës njësi akademike, anëtarët e Këshillit të Fakultetit nga administrata (1 përfaqësues) dhe për 2 përfaqësues në nivel të administratës së UP-së  për anëtarë të Senatit”, tha Kelmendi për KALLXO.com.

Në bazë të rregullores për zgjedhje të UP-së për anëtarë të Këshillit të Fakulteteve dhe të Senatit secili kandidatë aplikon personalisht, ndërkaq të drejtën për t’i gëzuar këto pozita do të kenë kandidatët e përzgjedhur me shumicë votash.

Ndërkaq, Kelmendi shtoi se më 15 mars pritet që të vazhdojnë procedurat për zgjedhjen e strukturave menaxhuese të njësive akademike  të UP-së.

“Strukturat e reja të dala nga rezultatet e këtyre zgjedhjeve, me datë 15 mars 2016 do t’i  fillojnë mandatet e tyre të cilat do t’i mbajnë deri më 30.9.2020,” u shpreh Kelmendi.

Leave a Reply

Your email address will not be published.