Hetuesit e Sektorit Rajonal të Hetimeve të Ferizajt kanë arrestuar I.L. 20 vjeç nga Shtimja me dyshimin e bazuar se i dyshuari ka kryer veprën penale të shantazhit ndaj viktimës femër, e mitur.
“Për disa ditë rresht, i dyshuari përmes rrjetit social Facebook, në mënyrë sistematike e kishte kërcënuar viktimën duke i postuar një foto dhe për ta fshirë atë nga vëllai i viktimës ka kërkuar t’i paguante shumën prej 15 mijë eurosh”, ka njoftuar zëdhënësi rajonal i Policisë në Ferizaj Agim Gashi.
Burime të policisë bënë me dije se të gjitha veprimet e hetuesve policorë janë bërë në koordinim me Prokurorinë e shtetit.
“Gjatë intervistimit, i dyshuari i ka pranuar veprimet e tij dhe në hollësi i ka shpjeguar ato”, ka thënë zëdhënësi Gashi.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit në Ferizaj, ndaj të dyshuarit është shqiptuar masa e mbajtjes për 48 orë, ndërsa rasti pas kompletimit do të procedohet në Prokurori./B.Idrizi/