Lajmet e fundit

PDK-LDK shpresojnë për marrëveshje, para fillimit të punimeve të Kuvendit! Opozita “ulet” vetëm një kusht!

Drejtuesit e koalicionit PDK- LDK, janë duke shpresuar n arritjen e një marrëveshje me opozitën para fillimit të punimeve të sesionit pranveror të Kuvendit të Kosovës. Kështu i kanë thënë Gazetës Blic burime brenda koalicionit qeverisës.

Sipas këtyre burimeve, drejtuesit e dy partive në bashkëqeverisje nuk po duan që sesioni i ri i punimeve të Kuvendit të filloj me probleme të ngjajshme, ku opozita përdorte edhe gazin lotsjelljës, vetëm e vetëm që të mos lejoj mbajtjen e seancave, pa tërheqjen e dy marrëveshjeve me Serbinë dhe me Malin e Zi, gjegjësisht për Asociacionin dhe Demarkacionin.

“Isa Mustafa dhe Hashim Thaçi po shpresojnë të ketë një ndërhyrje ndërkombëtare, në mënyrë që të arrihet një marrëveshje me opozitën, në mënyrë që sesioni i ri i punimeve të Kuvendit të zhvillohet normalisht”, ka thënë ky burim i Gazetës Blic.

Në anën tjetër, partitë opozitare i kanë kushtet shumë të qarta.

Njëri nga drejtuesit e opozitës së bashkuar ka thënë për Gazetën Blic se ata ulen në negociata me Hashim Thaçin e Isa Mustafën , vetëm për caktimin e datës së zgjedhjeve të parakohshme.

“Kushtet tona janë të qarta. Qeveria pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese duhet të japë dorëheqje. Ne me koalicionin mund të ulemi, vetëm për caktimin e datës së zgjedhjeve të parakohshme”, tha ky zyrtar i lartë i opozitës për Gazetën Blic, në kushte anonimiteti.

Ndërsa sipas Rregullorës së Punës, Kuvendi i Kosovës duhet që t’ifilloj punimet e sesionit pranveror në të hënën e tretë të janarit, ende nuk dihet se kur do të mblidhet kryesia e Kuvendit për ta caktuar seancën e radhës.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli para disa ditësh ka paralajmëruar se shumë shpejt, Kuvendi do të rikthehet, ndonëse nuk ka treguar kohën e saktë se kur do të ndodhë një gjë e tillë.

Ismet Krasniqi, sekretar i Kuvendit, i kontaktuar nga KosovaPress, nuk preferoi të flasë rreth ditës së mundshme, kur pritet takimi i Kryesisë së Kuvendit. Përgjigjja e vetme e tij ishte që t’i referohemi ëeb faqes së Kuvendit, aty kur paralajmërohet edhe mbajtja e Kryesisë së Kuvendit.

“Mund t’i referoheni vetëm ëeb faqes së Kuvendit. Aty mund të shihni se kur do të mbahet seanca”, tha Krasniqi nëpërmjet telefonit.

Zgjim Hyseni nga Lëvizja “Vetëvendosje”, thotë se Kuvendi nuk mund t’i vazhdojë seancat e rregullta, përderisa nuk do të ketë reflektim dhe dorëheqje nga ana e Qeverisë së vendit. Ai thotë se me situatën aktuale, nuk mund të ketë funksionim normal të institucioneve, për sa kohë kemi një qeveri anti-kushtetuese në pushtet./ Gazeta Blic

Leave a Reply

Your email address will not be published.