Prokuroria për krim të organizuar në Beograd ia ka paraqitur gjykatës speciale serbe aktakuzën ndaj Nebojsha Çoviq dhe gjashtë personave tjerë, të cilët akuzohen për keqpërdorim të parave të dedikuara për serbët në Kosovë.
Çoviq ishte zëvendëskryeministër i Serbisë dhe shef i Qendrës Koordinuese për Kosovën, kurse pas vrasjes së ish-kryeministrit Zoran Gjingjiq në 2003, edhe kryeministër i përkohshëm, transmeton Klan Kosova.
Në gusht të vitit 2014, Prokuroria ka iniciuar hetim ndaj Nebojsha Çoviq, Angjelka Radenkoviq – ish sekretare e Qendrës Koordinuese, Dragan Kalaba – ish shef i Qarkut të Mitrovicës, dhe pronarëve të kompanive private Komgrap gradnja, Daki dhe Masters.
Sipas aktakuzës së rifreskuar, e cila i referohet periudhës prej janarit 2003 deri në mes të shtatorit 2005, të lartpërmendurit akuzohen se i kanë keqpërdorur pozitat zyrtare dhe kanë marrë mito me rastin e blerjes dhe ndërtimit të patundshmërive.
Ata akuzohen se në mënyrë të paligjshme i kanë përfituar 10 milionë euro.