Një numër i madh i ish-minatorëve të Trepçës u mblodhën në Mitrovicë për të marrë një vendim rreth përfaqësimit në arritjen e të drejtave të tyre, raporton KTV.
Hallet e shumta dhe problemet, me të cilat ata përballen, lanë në fund çështjen për të cilën edhe ishin ftuar.
Mes shumë akuzave në drejtim të udhëheqësve të shtetit, minatorët u ankuan në kriteret dhe pensionin mujor që e marrin.
Nën tensionet e shumta të pakënaqësive, atyre u ka dhënë përkrahje edhe i pari i komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri,
Përpos përkrahjes, Bahtiri nisi të lavdëronte veten për punët që, sipas tij, po i bën në dy Mitrovicat.
Nga mijëra pensionistë që ka Trepça, me ligjin aktual janë kualifikuar vetëm 2732 persona që marrin pension prej 140 eurosh, ndërsa me disa ndryshime, ata pritet t’i marrin edhe 20 euro më shumë.
Përfaqësues të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale kanë kërkuar nga minatorët që të bashkohen në një sindikatë, pasi që tash për tash janë 3 të tilla dhe të flasin me një zë për arritjen e qëllimeve të tyre dhe për këtë ata kanë afat deri në mars të këtij viti.
Minatorët kanë kërcënuar me radikalizim të protestave, nëse institucionet nuk kujdesen për ta. Koha.net.