Gjendja e Sami Lushtakut është shumë e rëndë, por EULEX-i nuk po e përfill opinionin e mjekëve dhe pa paralajmërim e kanë marrë nga QKUK-ja, ka thënë mjeku që e ka ekzaminuar Lushtakun, kardiologu, Nexhmi Zeqiri.
Ai në një intervistë në Klan Kosova, Zeqiri ka deklaruar se për këtë rast ka pasur probleme dhe më parë me përfaqësues të EULEX-it.
Madje Zeqiri thotë se edhe është kërcënuar nga prokurori i EULEX-it, Maurizio Salustro, kur i kishte kërkuar këtij të fundit të mos përzihet në kompetencat që nuk i takojnë.
“Gjendja e Sami Lushtakut nuk është fare stabile prandaj edhe është hospitalizua. Nuk është hera e parë që EULEX bënë makinacione të tilla, jo vetëm në këtë rast, por edhe rasti me Sylejman Selimin nuk është lejuar mjekimi i plotë”, ka thënë Zeqiri duke shtuar se Lushtakun “e kanë marrë në mënyrë të dhunshme, pa paralajmërim – në një mënyrë jo humane”.
“Sami Lushtaku kur është marrë ka qenë në gjendje jo të mirë, por EULEX-i gjithmonë e ka bërë të veten. Lushtaku ka problem shëndetësor të sistemit kardiovaskular, të sistemit lokomotor, probleme shëndetësore të sistemit nervor qendror, gastrointestinal”, ka treguar doktori.
“Por gjithmonë EULEX-i ka ndërhyrë duke mos lënë të përfundonin të gjitha ekzaminimet. Sepse duhet të kryhen ekzaminimet e më pas pacienti lëshohet – pas mjekimit të drejt dhe të plotë”, tha ai.
Edhe herën e fundit “Lushtaku ka qëndruar nga e hëna deri të mërkurën, por plani mjekësor përsëri ka mbetur në gjysmë dhe i pakompletuar”.
“Ne herën e fundit e kemi shtruar me shumë mund dhe shumë peripeci, sepse ka pasur rezistencë nga EULX-i dhe Njësia Speciale”.
“EULEX-i e ka të padrejtë qasjen ndaj Sami Lushtakut, e nëse EULEX-i ka dyshime tek ne (stafi mjekësor), le të ulemi bashkë atëherë dhe ta shqyrtojmë bashkë”.
“Por ne si komunitet mjekësore nuk duhet t’ia lejojmë askujt të përzihet në punët mjekësore”.
“EULEX-i sikur mundohet të bëjë çka të dojë këtu në Kosovë, unë po flas për fushën e mjekësisë – nuk duhet të lejojmë askënd të përzihet në punën tonë profesionale. Është munudar edhe Salustro të përzihet, por nuk e kam lejuar. Kam qenë i ftuar nga ai, besa edhe i kërcënuar”.
Kardiologu Nexhmi Zeqiri ka kërkuar që sa më shpejt Sami Lushtaku të risjellet në Klinikë, sepse, sipas tij, dikur mund të bëhet vonë.