Një trupë prej dhjetëra bashkëpunëtorësh e këshilltarësh ligjorë është paraparë të krijohet me synimin për të zgjidhur rreth 90 mijë lëndë për kundërvajtje, që gjykatat nuk u kanë dhënë epilog deri tash, shkruan sot Koha Ditore.
Ekzekutivi synon që zgjidhja e tyre të bëhet brenda katër vjetësh.
Kjo “reformë” në drejtësi është sponsorizuar nga Ministria e Financave dhe është miratuar së fundmi nga kabineti qeveritar. Gati 12 milionë euro është kostoja e saj. Pos krijimit të Taks-forcës, parashihet të ndërmerren edhe një varg veprimesh të tjera.
E, në Ministrinë e Drejtësisë nuk dinë gjë për të. Ministri Hajredin Kuçi ka thënë të mos jetë iniciativë e tij kjo, pasi ka konsideruar se është çështje e Këshillit Gjyqësor.
Në Këshill, ndërkaq, nuk kanë folur fare për Task-forcën. Dhe, për mungesën e koordinimit paraprak me këto dy institucione ka refuzuar të flasë ministri i Financave, Avdullah Hoti.