Breshëritë e kallashnikovit tronditën Elbasanin në mbrëmjen e së mërkurës dhe lanë një bilanc tragjik të viktimave.Persona ende të paidentifikuar hapën zjarr në drejtim të një lokali në afërsi të stadiumit “Elbasan Arena”, duke lënë 3 persona të vdekur dhe 10 të plagosur.
Nga të dhënat e para dyshohet se zjarri u hap me një arme tip kallashnikov nga një automjet tip “BMW X5” në drejtim të lokalit.
Si pasojë e plumbave, kanë humbur jetën Agron Çapja, Ardit Sinakoli dhe Eno Bedalli.
Ndërkaq, të plagosur mbetën: Arnold Çapja, Florenc Çapja, Fejzulla Çapja, Bujar Reshka, Luan Muça, Ferit Muça dhe Ardian Zharri.
Burime zyrtare nga Policia e Shtetit bëjnë të ditur se i gjithë qyteti i Elbasanit është i bllokuar nga uniformat blu, ku në ndihmë të efektivëve të Elbasanit kanë mbërritur dhe Forcat Speciale RENEA, FNSH e Tiranës dhe FNSH e Fierit. Po ashtu, menjëherë janë vënë në lëvizje dhe forcat policore të komisariateve Lushnje, Fier, Berat, Durrës.
Paraprakisht dyshohet se krimi ka ndodhur për hakmarrje lidhur me ngjarje të së shkuarës, pasi familja Çapja nuk është e panjohur për Policinë e Shtetit.
Rreth 1 orë pas ngjarjes, 6 nga të plagosurit u transportuan me helikopter nga Elbasani drejt Spitalit të Traumës në Tiranë, pasi gjendja e tyre ishte e rënduar. Por, sipas drejtorit të këtij spitali, Gjovalin Bushi, më e rënduar paraqitet gjendja e 3 prej tyre.
“Tre prej tyre janë në gjendje të rëndë, ndërsa tre të tjerët janë në gjendje më të stabilizuar. Secili prej tyre do t’i nënshtrohet ekzaminimeve dhe më pas do të japim një përgjigje më të saktë. Personat që ndodhen në gjendje të rëndë kanë dëmtime të shumta, thuajse në të gjithë trupin”, tha Gjovalin Bushi.
Nga ana e tij, ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj bëri dhe një bilanc të numrit të të plagosurve, që deri në orët e vona të mbrëmjes ishte kontradiktor. Ministri tha se në këtë ngjarje kanë mbetur të plagosur 10 persona. Gjashtë prej tyre ndodhen në Tiranë, 3 prej të cilëve në gjendje të rëndë. Dy persona po marrin mjekime në spitalin e Elbasanit, ndërsa dy të tjerë, me plagë më te lehtë, pasi kanë marrë mjekimin e nevojshëm janë larguar për në banesat e tyre, transmeton tch.
“Kemi 6 persona që janë sjellë këtu me helikopter, dy të tjerë ndodhen në Spitalin e Elbasanit ku po i nënshtrohen ndërhyrjeve kirurgjikale, ndërsa dy të tjerë kanë pasur dëmtime të lehta, kanë marrë mjekim dhe janë larguar për në shtëpitë e tyre”, u shpreh ministri Beqaj.
Mësohet se në Drejtorin e Policisë së Elbasanit menjëherë pas ngjarjes ka mbërritur dhe ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri i shoqëruar nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Haki Çako. Ndërsa forcat speciale RENEA, ato FNSH por dhe strukturat e Policisë së Elbasanit kanë nisur menjëherë verifikimin e të githë zonës, duke kryer kontrolle në të gjitha banesat dhe ambientet përgjatë aksit Elbasan-Librazhd, pasi dyshohet se andej mund të jenë larguar dhe autorët.
Kontrolle janë kryer edhe në Qafë Thanë, pasi dyshohet se autorët mund të kenë tentuar largimin drejt Maqedonisë. Deri në mesnatë, policia njoftoi se kishte shoqëruar 18 persona për verifikim rreth masakrës së Elbasanit.