Lëvizja VETËVENDOSJE, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe NISMA për Kosovën
Më 17 shkurt edhe një herë qytetarët e Kosovës do të bashkohen në një protestë mbarëqytetare për t’i treguar shkelësve të Kushtetutës se ka ardhur koha të largohen prej qeverisë e të shpallin zgjedhje të reja. Kjo protestë do të organizohet prej opozitës së bashkuar, si dhe shumë pjesëtarëve të shoqërisë civile, medias së lirë, akademisë dhe sindikatave.
Në 9 janar qytetarët dolën masivisht në protestën më të madhe që ka ndodhur ndonjëherë në Kosovë. Qeveria i ofendoi e i kërcënoi ata. Në 17 shkurt qytetarët do të dalin edhe më masivisht, në mbrojtje të atdheut, kundër mentalitetit kriminal e diktatorial të pushtetarëve aktualë.
Përballë diktaturës së tyre, zgjidhja jonë është demokracia. Përballë krimit, zgjidhja jonë është drejtësia. Përballë hajnisë së tyre, zgjidhja jonë është zhvillimi ekonomik. Përballë tradhtisë së tyre, zgjidhja jonë është atdhedashuria. Përballë injorancës së tyre, zgjidhja jonë është një program i detajuar.
Zgjidhja janë zgjedhjet, jo thjesht për të ndryshuar fytyrat, por për të ndryshuar një herë e mirë mënyrën e të bërit qeverisje. E në zgjedhje të reja do të shkojmë me mbështetjen masive të qytetarëve në protestën e 17 shkurtit, në Prishtinë.