Po bëhen tash e disa muaj që tri partitë opozitare, Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën, përmes disa metodave po pamundësojnë punën e Kuvendit, raporton Indeksonline.
Derisa në fillim kërkesa e opozitës së bashkuar ishte anulimi i marrëveshjes së arritur në Bruksel për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila e ka shpallur këtë marrëveshje antikushtetuese, opozita po ngulmon që qeveria të jap dorëheqje dhe të shkohet drejt zgjedhjeve të reja.
Mirëpo, krerët e koalicionit qeveritar PDK-LDK, vazhdojnë të përsërisin se në Kosovë nuk do të ketë zgjedhje deri në vitin 2018, kur edhe do të përfundoj mandati i tyre.
E nëse zgjedhjet do të shpalleshin tani, kjo do të detyronte Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), që të filloj punën për përgatitjet e mbajtjes së tyre.
Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka ka thënë për Indeksonline se nëse do të merrej vendim për të shkuar në zgjedhje, institucioni që ajo drejton, do të bëj atë që i takon.
“KQZ e ka obligim kushtetues që të organizoj zgjedhjet, dhe nëse do të shpalleshin ato tani, KQZ do ta bëj atë që i takon, do t’i organizoj ato sa më mirë që është e mundur”, ka thënë Daka.
Sipas saj, sikurse herëve të kaluara, edhe këtë vit nëse do të mbahen zgjedhjet, buxhetit të vendit do t’i kushtonin miliona euro.
“Sipas zgjedhjeve të kaluara, zgjedhjet do t’i kushtonin vendit prej 4 deri në 5 milionë euro”, ka shtuar Daka.
E pyetur se a janë pastruar listat zgjedhore, Daka ka theksuar se me këtë nuk merret KQZ, por Agjencioni për regjistrim civil, i cili i mirëmban këto lista. /Indeksonline/