Lajmet e fundit

Kosova zë vendin e nëntë për azilkërkim

Shifrat e azilkërkuesve për muajin gusht janë publikuar nga autoritetet gjermane. Muajin e kaluar kanë kërkuar azil 8306 shqiptarë, duke shënuar një numër më të lartë në krahasim me muajin korrik.

Në tabelat e publikuara nga Ministria e Brendshme Gjermane rezulton se azilkërkuesit shqiptarë vijojnë të renditen të dytët, pas atyre sirianë, edhe për muajin që lamë pas, transmeton BW. Në muajin gusht, 8 306 shqiptarë kanë kërkuar azil, ndërkohë që korriku numëronte 7633.

Ndërkaq, sipas kësaj liste, gjatë muajit gusht, azilkërkues nga Kosova në Gjermani ishin vetëm 781, në krahasim me 1395 në muajin korrik dhe 1581 në muajin qershor.

Gjermania ka bërë të qartë se do të ofrojë azil vetëm për qytetarët e vendeve që janë në luftë, duke shuar shpresat për shqiptarët, pasi vendi ynë është përfshirë në listën e vendeve që konsiderohen të sigurta.

Presidenti i Komisionit Evropian Jean-Claude Juncker shpalli pak ditë më parë një listë të veçantë të BE-së për 7 vendet që i përcakton si të sigurta: Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi, Serbia, Bosnja, Kosova dhe Turqia.

Sipas propozimit të zgjeruar të shpallur nga Juncker, qytetarët e këtyre vendeve do të përballen me deportime me procedurë të përshpejtuar, nëse kërkojnë strehim në Bashkimin Evropian.

Leave a Reply

Your email address will not be published.