Tetë vjetori i pavarësisë do të shënohet me aktivitete të ndryshme, duke filluar nga parakalimi i kuadrateve të FSK-së dhe njësive të Policisë së Kosovës, e deri te dhurimi i gjakut.
Parakalimi në shesh përcillet edhe me aktivitete të tjera akrobatike të kadetëve në shesh si dhe nga bendi muzikor i FSK-së.
Po ashtu, në të njëjtën kohë, në orën 10:00, Biblioteka Kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani”, hap ekspozitën e librit “Kosova në Udhën e Pavarësisë”.
Duke filluar nga ora 11:00 bëhen homazhe para varrit të Presidentit Ibrahim Rugova, ndërkohë që vetëm një orë më pas, në orën 12:00 bëhen homazhe para varrezave të Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe familjes Jashari në Prekaz.
Në orën 12:00 do të ketë aktivitet kulturor. Ansambli SHOTA do të defilojë në sheshet “Zahir Pajaziti”, “Nënë Tereza” dhe “Ibrahim Rugova”.
Ndërkaq, në orën 20:00 Baleti Kombëtar i Kosovës në Teatrin Kombëtar shfaq Baletin “Dasma” me regji e koreografi të Mehmet Ballkan.
Qeveria ka njoftuar se të gjitha komunat në orën 09:00 bëjnë homazhe në varrezat e dëshmorëve dhe tek shtatoret e heronjve të Kosovës.
Po ashtu, në ora 10:00, Kuvendet Komunale të mbajnë mbledhje solemne me mysafirë të ftuar.
“Më datë 17 shkurt 2016, delegacionet e larta të institucioneve të Republikës së Kosovës: Presidenca, Kuvendi i Kosovës, Kabineti Qeveritar, do të bëjnë homazhe tek varrezat dhe përmendoret e dëshmorëve. FSK do të angazhojë pjesëtarët e saj tek varrezat dhe komplekset e dëshmorëve”, thuhet në njoftimin e Qeverisë së Kosovës.
Komuna e Ferizajt ka njoftuar se gjatë ditës së sotme, për të shënuar Ditën e Pavarësisë, përveç seancës solemne të Kuvendit Komunal në orën 09:00, do të bëj homazhe te varrezat e dëshmorëve në orën 10:00. Po ashtu, duke filluar nga ora 11:00, komuna paralajmëron program artistik në Teatrin e Qytetit. Ndërsa, në Bulevardin e qytetit, nga ora 16:00 deri në orën 22:00 mbahet koncert për fëmijë e të rinj ku do të marrë pjesë edhe estrada e qytetit.
Ndërkaq, Komuna e Istogut ka njoftuar për aktivitete të shumta për të shënuar Ditën e Pavarësisë. Komuna njofton se nga ora 10:00, fillon programi festiv për fëmijë në qendër të qytetit.
“Nga ora 11:00, Seancë solemne me rastin e tetë vjetorit të Pavarësisë së Kosovës. Seanca mbahet në sallën e Kuvendit Komunal; Nga ora 11:30, koktej rasti; Nga ora 12:00, Homazhe –vendosje kurora luleshtek Lapidari i Dëshmorëve në qendër të qytetit në Istog; Nga ora 12:30, homazhe dhe vendosje luleshtek varri i ish Kryetarit të Istogut Fadil Ferati; Nga ora 13:00, Programi festiv me këngë e valle në qendër të qytetit në Istog”, thuhet në njoftimin paraprak të komunës.
Në Komunën e Lipjanit njoftohet se do të dhurohet gjak në fshatin Kraishtë. Aksioni do të fillojë nga ora 11:30 – 16:00 në Xhaminë e Fshatit.
Ndërkaq nga Komuna e Mitrovicës njoftojnë se “me rastin e shënimit të Ditës së Pavarësisë 17-Shkurtit, DKRS dhe DIEMS, përkatësisht Sektori për Dëshmorë e Invalidë të Luftës dhe Viktima Civile, në bashkëpunim e koordinim me Shoqatat e dala nga lufta e UÇK-së, në shenjë nderimi dhe respekti për heronjtë dhe dëshmorët e komunës, ka paraparë të bëhen homazhe dhe vendosjen e organizuar të buqetave të luleve. Homazhet dhe vendosja e buqetave me lule të freskëta, do të fillojnë në ora 10:00, në varrezat e dëshmorëve në Shipol, për të vazhduar më pastaj tek shtatoret e dëshmorëve Avni Shabani, Artim Jashari, Safe Boletini dhe tek shtatoret e heronjve Isa Boletini, Shemsi Ahmeti dhe Mehë Uka”.