Tri partitë opozitare, VV, AAK dhe NISMA, që dje mbajtën protestën për të kërkuar dorëheqjen e Qeverisë, kanë akuzuar partitë në pushtet se kanë infiltruar personin që dje hodhi një shishe në drejtim të Policisë, vetëm sa për të provokuar dhunën.
“Një person gjuajti me shishe ndaj policisë. Kujdestarët e identifikuan dhe e fotografuan atë person, i cili me vete mbante një revole të tipit Glock me të cilat është e pajisur policia. Ne e kemi fotografinë e tij dhe besojmë se ai është njeri i strukturave të sigurisë së pushtetit, i infiltruar në masë që të provokojë dhunë”, thuhet në njoftimin e përbashkët të opozitës.
Po ashtu, opozita thotë se dje në Prishtinë u stacionuan forca të mëdha policore, me armatim të rëndë, autoblinda, topa uji e mjete të tjera.
“Në kulmet e ndërtesave që rrethonin sheshin u pozicionuan snajperë me maska, të cilët mbanin nën shënjestër protestuesit dhe qytetarët paqësorë”, thuhet tutje.
Ndërsa, ndërhyrjen e policisë ndaj kamionit që barte pajisjet e opozitës, e konsiderojnë edhe si një provokim tjetër nga ana e dy partive në pushtet.
“Gjatë protestës, në mes të tubimit masiv, policët hynë disa herë të armatosur, pa patur asnjë nevojë. Të armatosur e të maskuar, ata e ndalën edhe një kamion të vogël që mbante zërimin e protestës. Ata u përpoqën të provokonin masën me ndërhyrjen e tyre tek hoteli Swiss Diamond, por nuk patën sukses”.
Opozita konstaton se deklaratat e Isa Mustafës dhe të Hashim Thaçit, janë në sinkron të plotë me këto veprime dhe me këtë skenar të dhunshëm.
“Ata po e humbin kontrollin, sepse po e humbin mbështetjen nga ndërkombëtarët. Mustafa e Thaçi shpresuan se do të kishte dhunë, dhe prandaj u përpoqën ta nxisin atë. Ata deri më sot e kanë mbajtur pushtetin me dhunë, duke ia hedhur fajin opozitës. Protesta e 17 shkurtit i demaskoi të gjitha veprimet e tyre”, thuhet tutje.
Opozita thotë se qytetarët e Kosovës, opinioni publik, shoqëria civile, dhe Bashkësia Ndërkombëtare e trupi diplomatik duhet të dënojnë inskenimet qeveritare që syno jnë konfliktin e dhunën.
Ndërsa, tutje thuhet se opozita dhe protestuesit dëshmuan paqe, ndërsa Qeveria ka dashur dhunë dhe ka bërë skenar të detajuar për ta provokuar dhunën. /KP/