Duket që Gjyqësia vazhdon instrumentalizimin e saj nga politika. Pas arrestimit të disa aktivistëve nga opozita dhe atë nga Lëvizja VV, duke përfshirë këtu edhe deputetin dhe të parin e grupit parlamentar të VV! Glauk Konjufcës si dhe Sekretarit të VV! Dardan Molliqajt Gjykatat i kanë vënë syrin edhe arrestimit të Kryetarit të VV!, Visar Ymerit, raporton Gazeta Blic.
Mediat vendore kanë raportuar të premten në mëngjes që mosgatishmëria e Kryetarit të lëvizjes “Vetëvendosje”, Visar Ymeri, për t`iu përgjigjur ftesës së gjykatës dhe për të marrë pjesë në gjykim, do t`i kushtojë me arrestim.
Kështu, sipas njoftimeve në fjalë Gjykata Themelore e Prishtinës ka vendosur që të premten (sot) do të lëshojë urdhërarrest ndaj tij. Edhe Ymeri po “përndiqet” për rastin e rrotullimi të veturave të Eulex-it në vitin 2009. Derisa Policia e Kosovës për 24 orë kishte theksuar që këto arrestime po bëheshin në “bashkëpunim” me Eulex-in, ishte kjo organizatë që e demantoi versionin policor duke theksuar që s’ka të bëjë me arrestimet në fjalë asgjë.
Të gjitha këto arrestime po shihen përndryshe si instrumentalizim i Gjyqësisë për të shtuar presionin ndaj opozitës e cila ka bllokuar punën e Kuvendit dhe Qeverisë dhe po organizon protesta masive kundër Koalicionit PDK-LDK.
Në të njejtën kohë në proces është edhe rasti tashmë i famshëm mes deputetëve të VV!-së dhe atyre të PDK-së. Në seancën që ishte planifikuar të mbahej të enjten, të pranishëm ishin vetëm i dëmtuari, deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, i njohur si “Kamishi”, dhe njëri nga të akuzuarit Besart Bujupi. Ndërkaq pos Ymerit kanë munguar edhe dy deputetët e tjerë të VV-së, Rexhep Selimi e Florin Krasniqi.
Të katër të akuzuarit ngarkohen me veprën penale: lëndim i lehtë trupor, të cilin ia kanë shkaktuar pas një përleshjeje në qershor të vitit 2012 deputetit Haxhiu.
Sot pritet që të mbahet edhe mbledhja e rregullt e Kuvendit të Kosovës në të cilën pritet që opozita sërish të bllokojë punën. /Gazeta Blic/