Kryeministri Isa Mustafa në një postim në facebook derisa është lavdëruar për punën që kanë bërë institucionet, ka bërë thirrje që të bëhen bashkë pozitë e opozitë, që sipas tij, vendi të shkoj përpara, raporton TV ARTA.
“Nuk ka arsye të mos jemi bashkë të gjithë, pozitë dhe opozitë, gra e burra, të rinj e të moshuar, institucione, shoqëri civile e biznese, për të çuar proceset përpara, për ta ndërtuar një shtet të fortë, të respektuar me perspektivë euroatlantike. Më së paku kemi nevojë të ndahemi në patriotë e tradhtarë, në akuzues dhe të korruptuar, sepse njihemi të gjithë.
Më së shumti kemi nevojë të punojmë në ndërtimin e institucioneve tona demokratike me njerëz tanë, këta që jemi”, ka shkruar Mustafa.
Ai po ashtu ka theksuar se Kosova ka arritur shumë vitin e fundit, por se nuk i ka afirmuar këto të arritura.
“Janë arritur marrëveshje për investime të rëndësishme me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim. Vlerësimet e Fondit Monetar Ndërkombëtar janë se Kosova ka stabilizuar tërësisht buxhetin e saj, për dallim prej shumë vendeve në regjion dhe vendeve të tjera. Janë rritur për 25% ndihmat sociale, janë rritur mjetet për pensione për kontributdhënës mbi 25% dhe janë rritur pagat mesatarisht për 6% përmes aplikimit të shtesave për përvoja të punës.
Janë përafruar krejtësisht kushtet për liberalizim të vizave. Nuk ka raste dhe afera të korrupsionit nga qeveritarët. Jemi kujdesur për krijimin e kushteve më të mira për organet e drejtësisë, për gjyqtarë dhe prokurorë”, ka shkruar ndër të tjera Mustafa.