Armando Sadiku sërish në formacionin më të mirë të javës në Zvicër. Sulmuesi i kombëtares shqiptare, i cili me golin e tij i dha një pikë Vaduzit në sfidën ndaj Grasshoppers-it, është përfshirë nga gazeta Blick në 11-shen më të mirë të javës së 22-të në Superligën zvicerane.
Sadiku në minutën e 52-të të ndeshjes ndaj Grasshoppers-it pas shumë e shumë përpjekjesh gjeti më në fund rrugën e rrjetës për Vaduzin me një goditje të fortë tokazi nga brenda zone, shkruan Supersport.al.
Ky ishte goli i tretë për Sadikun në kampionatin zviceran me fanellën e skuadrës nga Lihtenshtejni dhe i 8-ti në këtë sezon. Kjo është hera e dytë për 24-vjecarin nga Elbasani që përfshihet në formacionin më të mirë të javës nga Blick që nga periudha që është bërë pjesë e Vaduzit.
Me tranferimin në Lihtenshtejn, Armando Sadiku po përjeton një moment fantastik forme duke i dërguar sinjale pozitive trajnerit të Shqipërisë Gianni De Biasi i cili sipas të gjitha gjasave do ta grumbullojë lojtarin në Euro 2016-të.
Megjithatë fundjava që sapo lamë pas nuk ishte pozitive vetëm për Armando Sadikun por edhe për dy futbollistë të tjerë shqiptarë që luajnë në Kroaci.
Rrahmani dhe Eros Grezda falë paraqitjeve të tyre të mira në javën e 24-t të kampionatit kroat janë përfshirë në 11-shen më të mirë të javës.
Ish mbrojtësi i Partizanit Rrahmani ishte një nga më të mirët në fushë në sfidën mes Dinamos së Zagrebit dhe Rnk Splitit. Pavarësisht humbjes 1-0 të skuadrës së tij Rrahmani në jo pak raste shpëtoi Rnk Splitin nga pësimi i golave të tjerë.
Thjeshtë i mrekullueshëm Eros Grezda në fitoren 1-3 të Lokomotivës së Zagrebit në transfertën ndaj Osijek. Mesfushori i talentuar shqiptar shënoi një dygolësh në këtë sfidë duke udhëhequr skuadrën e tij drej një tjetër suksesi shumë të rëndësishëm.zeri