Ja që dhe fluksi “biblik” i refugjatëve nga Lindja e Mesme dhe Afrika e Veriut drejt Ballkanit e paska pasur një qëllim…
Pas daljes së sotme të kreut të NATO-s, Jens Stoltenberg, në lidhje me influencën ruse në Siri, ai përmendi shkarazi dhe informacionin për aktivizim dhe kërcënime nga ana e ISIS që pretendon shtrirje dhe aksione në vendet e Ballkanit.
Por pas deklaratës së Sekretarit të Përgjithshëm te Aleancës Atlantike të Veriut, ka qenë vetë ISIS që zyrtarisht ka konfirmuar nisjen e një “ofensive” drejt Ballkanit fillimisht me sulme terroriste.
Portalet e Shtetit Islamik kanë përditësuar sot vendimin e liderëve të ISIS për të nisur aksionet edhe në vendet e Ballkanit, ku më parë kanë shkuar dhe po stërviten me dhjetëra vullnetarë.
Këtë e ka konfirmuar më tej edhe revista e përjavshme e kontrolluar nga shteti islamik “Dabiq”, e cila përsëriti kërcënimin për sulme që u është drejtuar diplomatëve të rreth 70 vendeve përfshirë këtu dhe selitë diplomatike të Arabisë Saudite në dy shtetet shqiptare të Ballkanit, Shqipëri dhe Kosovë.
“Çfarë për shembull do ta pengonte një xhihadist të sulmonte misionet diplomatike japoneze në Bosnjë, Malajzi dhe Indonezi , apo sulmet ndaj diplomateve sauditë në Tiranë, Sarajevë dhe Kosovë?”, shkruhej në kërcënimin e vet ISIS.
Portalet online të kontrolluara nga ISIS japin edhe detaje për “ofensivën islamike” drejt vendeve të Ballkanit, madje edhe udhëzime për ushtarët e tyre se si të përdorin eksplozivët, armët e ndryshme, apo se si të maskohen për të mos rënë në sy të autoriteteve vendase.
Udhëzimet janë të njejtat me ato që dikur jepte “Al Kaeda” për kamikazët e saj terroristë, të shoqëruara edhe me thirrje e lutje të shenjta nga Kurani.
Gjithashtu, përmes deklaratës së tyre ata kanë theksuar se, refugjatët nga Siria janë duke bërë një mëkat të madh kundër Allahut, sepse sipas tyre ata nuk duhet të shkojnë drejt vendeve të Europës.