Lajmet e fundit

Refugjatët zhbllokuan hekurudhën në kufirin Greqi-Maqedoni

refugjatet sirjanIdomeni, 4 mars – Grupi prej dhjetëra refugjatësh, të cilët në shenjë proteste prej orëve të mëngjesit kishin bllokuar hekurudhën ndërkombëtare që lidh Greqinë me Maqedoninë, dje u tërhoqen, ndërkohë treni i mallrave që qëndroi i bllokuar prej rreth 7 orëve kaloi nga territori i Maqedonisë drejt Greqisë.
Refugjatët prej orëve të mëngjesit me pankarta “Jemi duke vdekur dalëngadalë”, “Hapeni kufirin”, “Liri”… shprehën revoltën e tyre për shkak të kushteve të mjerushme në qendrën për pritje në Idomeni. Shumica prej tyre presin me dhjetëra ditë për të kaluar në anën maqedonase.
Sipas organizatave humanitare që veprojnë në Idomeni, numri i refugjatë momentalisht është rreth 12 mijë, ndërsa për çdo ditë ky numër rritet me rreth 1 mijë refugjatë të ri. Aktivistët theksojnë se nuk kanë mundësi që t’u ofrojnë refugjatëve të gjitha nevojat, për shkak të numrit të stërmbushur të refugjatëve në kamp.
Nga ana maqedonase, përfaqësuesi i UNHCR-së në kufirin jugor të Maqedonisë, Haidar Fahad konfirmoi për AA se kufiri është i hapur dhe kohë pas kohe lëshohen një numër i kufizuar i refugjatëve.
Në qendrën për pritje të refugjatëve në Gjevgjeli momentalisht janë të vendosur rreth 100 refugjatë, ndërsa në hyrje të qendrës ndodhen edhe rreth 120 refugjatë irakianë të cilët janë kthyer nga Tabanoci, për arsye se nuk posedojnë dokumentet e nevojshme dhe nuk dihet se çfarë do të vendoset për të ardhmen e tyre.

Leave a Reply

Your email address will not be published.