Para tre muajsh, nga mesi i dhjetorit të vitit të shkuar, Komisioni Evropian kishte nxjerrë raportin e fundit për përparimin e Kosovës në përmbushjen e kritereve nga procesi i dialogut për liberalizimin e vizave, shkruan sot Koha Ditore.
Në atë raport ishin identifikuar edhe tetë kushte që Kosova nuk i kishte përmbushur. Të njëjtën ditë Komisioni kishte konfirmuar se dy shtete të tjera të përfshira në procesin e liberalizimit të vizave, Gjeorgjia dhe Ukraina, i kanë përmbushur të gjitha kriteret. Të mërkurën, në Bruksel Komisioni Evropian edhe formalisht dha propozimin për miratimin e ndryshimeve ligjore që Gjeorgjia të përfshihet në listën e vendeve për të cilat nuk do të ketë nevojë për viza për të udhëtuar në vendet e zonës Schengen.
Nëse gjithçka shkon sipas planit, shtetasit e Gjeorgjisë që nga vera do të mundë të gëzojnë lëvizjen pa viza në këto shtete të BE-së dhe në tri shtete të tjera të cilat nuk janë në BE por bëjnë pjesë në zonën e lëvizjes së lirë të Schengenit, e që janë Norvegjia, Islanda dhe Zvicra.
Edhe pse, edhe Ukraina i kishte përmbushur të gjitha kushtet në dhjetor dhe këtë e kishte konfirmuar edhe Komisioni Evropian, për këtë shtet nuk është nisur procedura formale.