Seanca gjyqësore për rastin “Badovci”, pritet të vazhdojë sot, ku të akuzuar janë Besnik Latifi, Gazmend Haliti, Milazim Haxhiaj, Fehmi Musa dhe Enis Latifi. Ata dyshohet se te liqeni i Badovcit kanë dashur të incizojnë një video propaganduese dhe të lexonin betimin ndaj liderit të ISIS-it.
Seanca e paraparë të mbahet më 16 mars, nuk është mbajtur për shkak se Shërbimi Korrektues i Kosovës kishte njoftuar Gjykatën se Njësiti i Transportit në Lipjan për shkak të mungesës së gardianëve nuk do të mund të sillen të akuzuarit në Gjykatë.
Sipas tyre, të akuzuarit cilësohen si persona të rrezikshëm dhe për ta nuk ka numër të mjaftueshëm të gardianëve.
Aktakuza i ngarkon pesë të akuzuarit se në korrik të vitit të kaluar kishin shkuar te liqeni i Badovcit, afër Prishtinës me qëllim që të incizojnë një video propaganduese, në të cilën planifikonin ta lexonin betimin ndaj udhëheqësit të organizatës terroriste “Shteti Islam”.
Sipas prokurorisë, grupi ka pasur qëllim që këtë video ta publikojë në internet me qëllim që të dëshmojnë para botës shtrirjen e të ashtuquajturit “Shtetit Islam” në Republikën e Kosovës.
Në seancat e kaluara mbrojtja e pesë të akuzuarve e ka kundërshtuar aktakuzën ndaj klientëve të tyre, por Gjykata menjëherë ka hedhur poshtë pretendimet e avokatëve./KP/