Lajmet e fundit

Po shënohet sot Epopeja e UÇK-së në Dukagjin

epopejaMe aktivitete të ndryshme po shënohet sot në Dukagjin 18-vjetori i Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në këtë zonë.
Nën patronazhin e kryetarit të Komunës së Deçanit, sot po mbahet manifestimi qendror në nderim të kësaj ngjarjeje me rëndësi për luftën për liri në Kosovë, të viteve 1998/99, transmeton rtk.
Nga ora 11:00 kanë nisur homazhet në Kompleksin Memorial të UÇK-së në Gllogjan, ku po marrin pjesë qytetarë të shumtë dhe personalitete të shquara politike e jopolitike, ushtarake e kulturore të vendit dhe të mbarë hapësirës sonë etnike, si dhe diplomatë të ndryshëm.
Krahas homazheve në varrezat e dëshmorëve në Kompleksin Qendror të UÇK-së në Dukagjin, po zhvillohen edhe vizita të shumta në familjen Haradinaj, e cila ishte bërthama e qëndresës dhe organizimit të luftës së UÇK-së në këtë rajon të vendit.
Në orën 13:00 mbahet tubimi qendror në sheshin e qytetit në Deçan.
Ndërkaq, dje, në shënim të kësaj epopeje, është mbajtur parakalimi ushtarak i njësiteve të Forcës së Sigurisë së Kosovës, që nisi nga fshati Isniq dhe përfundoi në Gllogjan, në Kompleksin Memorial të UÇK-së.
Epopeja e UÇK-së në Dukagjin ndodhi me nisjen e luftës frontale kundër forcave policore e ushtarake të regjimit serb, në Gllogjan të Deçanit, më 24 Mars të vitit 1998, dhe pasoi Epopenë e UÇK-së në Prekaz të Ultë të Drenicës, në të cilën për tre ditë rresht rezistuan njësitet e UÇK-së, të prira nga Komandanti Legjendar Adem Jashari, më 5, 6 dhe 7 Mars të vitit 1998.
Në Betejën e Gllogjanit, më 24 Mars 1998, ranë dëshmorë luftëtarët e lirisë Gazmend e Agron Mehmetaj dhe Himë Haradinaj.

Leave a Reply

Your email address will not be published.