“Serbia nuk do të mund të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian pa njohur pavarësinë e Kosovës, i pëlqeu kjo dikujt apo jo”.
Kështu ka deklaruar zëvendëspresidentja e Parlamentit Evropian Ulrike Lunaçek në një diskutim në Berlin, organizuar nga Fondacioni Heinrich Boll me temën “Zhvillimi i marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës”, ku kanë marrë pjesë edhe Bodo Veber nga Këshilli për politika demokratike, si dhe kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti.
Lunaçek ka deklaruar se “vazhdimisht angazhohet dhe kërkon që edhe pesë vendet e BE-së ta njohin pavarësinë e Kosovës dhe sipas saj, kjo duhet të ndodhë.
Ndërkaq, Bodo Veber tha se “nuk do të lejohet anëtarësimi i Serbisë në BE para Kosovës, pasi askush nuk mund të garantojë që më pas Serbia nuk do ta bllokonte anëtarësimin e Kosovës në BE”.
Nga ana e tij kryetari i Prishtinës Shpend Ahmeti ka deklaruar se “Vetëvendosje nuk është në parim kundër dialogut me Serbinë, por është kundër dialogut pa parime”, raporton transmetuesi publik.
Ai në fjalimin e tij ka deklaruar se “Serbia nuk po e trajton Kosovën si partner të barabartë në bisedime dhe se deri më tani nuk e ka marrë përgjegjësinë për krimet që ka kryer gjatë vitit 1999 në Kosovë”.